Kamëz, 11 nëntor, NOA - Studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës mëngjesin e sotëm kanë bllokuar derën e hyrjes për në fakultet, duke shpallur edhe bojkotimin e seancave mësimore.
Kanë qenë mëse 300 studentë, të shoqëruar madje edhe nga disa prindër të tyre, të cilët kanë ndërmarrë një masë të tillë që shoqëron situatën e rënduar në të cilën gjenden prej ditësh kolegët e tyre të futur tashmë në një grevë urie.
Bëhet me dijeni se në këtë protestë kanë qenë të pranishëm edhe forca policore, të cilat janë munduar të stabilizojnë situatën e rënduar të krijuar në vendngjarje.
Greva e shpallur prej studentëve të Kamzës është sot në ditën e saj të tetë dhe ata pohojnë se megjithëse ka kaluar kaq shumë kohë, ende nuk kanë marrë një përgjigje nga rektorati për kërkesat e tyre.
Studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë paraqitur si kërkesë të tyre kryesore, atë të mosnjohjes së kriterit të mesatares për të vijuar studimet në nivelin e tyre universitar.
Ndërkaq, disa prej studentëve të grevës së urisë kanë nisur të shfaqin probleme serioze shëndetësore, duke u urdhëruar në mënyrë kategorike prej mjekëve që të dalin prej saj.
Gjendja e tyre ditën e sotme është përkeqësuar edhe më shumë, çka ka nxitur edhe reagimin e ashpër të 300 studentëve të tjerë në dyert e fakultetin mëngjesin e sotëm.
n.e/NOA