English

Prapaskenat e gazpërcjellësit Molotov-Ribentrop

Segmentet e para të gazpërcjellësit me siguri do të shtrohen në shtratin e detit, në një vijë që do përshkojë ujërat e Rusisë, Finlandës, Suedisë, Danimarkës, Gjermanisë, duke shmangur shtetet baltike dhe Poloninë

Nga "Wall Street Journal"

Gjermania po i ndihmon vrapimit të Rusisë nëpër Evropë. Ujdhesa Rygen në Detin Baltik tash ka marrë rolin e pikënisjes së projektit energjetik, i cili sa është ambicioz, është po aq edhe kundërthënës: gazpërcjellësi Rryma e Veriut nga Rusia në Gjermani. Në pranverë, segmentet e para të gazpërcjellësit me siguri do të shtrohen në shtratin e detit, në një vijë që do t'i përshkojë ujërat e Rusisë, Finlandës, Suedisë, Danimarkës dhe Gjermanisë, duke shmangur shtetet baltike dhe Poloninë. Kjo, për shkak se projekti Rryma e Veriut është pjesë e një marrëveshjeje ekskluzive ndërmjet Moskës dhe Berlinit, e cila në Varshavën e anashkaluar quhet si "Pakti Molotov-Ribentrop", në bazë të marrëveshjes sovjetiko-naziste për ta copëtuar Poloninë. Do të ishte më lirë të ndërtohej një gazpërcjellës në tokë përmes Evropës Lindore, por qëllimi i Rrymës së Veriut nga fillimi ka qenë që t'i anashkalojë vendet, të cilat Moska ende i konsideron se janë pjesë e zonës së saj të influencës. Mesazhi gjeopolitik i Rusisë është i qartë. Ajo nuk u beson shteteve të reja anëtare të Bashkimit Evropian si vende tranzite, apo madje edhe si vende konsumatore, dhe është e gatshme që t'i rrisë çmimet vetëm që t'i anashkalojë. Mesazhi tjetër apo kërcënimi i implikuar është se Rryma e Veriut do t'i lejojë Kremlinit që t'ia ndërpresë dërgesat e gazit Evropës lindore përmes linjave aktuale, pa e trazuar furnizimin në Gjermani. Por, çfarë mesazhi synon t'u dërgojë fqinjëve të saj Gjermania, si anëtare e vjetër e Bashkimit Evropian? Rryma e Veriut u përkrah shumë nga ish-kancelari gjerman, Gerhard Shroder, i cili tash shërben si një nga drejtorët ekzekutivë të projektit. Gjatë mandatit të parë qeverisës, edhe kancelarja Angela Merkel bëri lobim të suksesshëm që Bashkimi Evropian ta mbështeste projektin, edhe pse konsorciumi ishte i regjistruar në Zvicër dhe kontrollohej nga Gazpromi rus. Nga më shumë se dhjetë kompanitë e përfshira në ndërtimin e gazpërcjellësit, asnjëra nuk është nga vendet e Baltikut, e as nga Evropa lindore dhe qendrore. Do të ishte jorealiste të pritet që Berlini ta ndryshojë qasjen ndaj Rrymës së Veriut, por Angela Merkel e rizgjedhur do të duhej t'i shqyrtojë me kujdes mesazhet e politikës së jashtme, që vijnë bashkë me shtrimin e gypave të gazpërcjellësit në shtratin e Detit Baltik. Për t'i siguruar anëtarët e vjetër të BE-së, Berlini do të duhej ta mbështesë atë që Komisioni Evropian e konsideron "prioritet strategjik": të ashtuquajturin Korridor të Jugut, i cili e përfshin projektin Nabuko dhe disa projekte më të vogla. Si lojtar i rëndë në BE, mbështetja retorike dhe diplomatike e Gjermanisë do të ishte në vijë me unitetin energjetik të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, do t'i dërgonte mesazhe Moskës se politika energjetike "përçaj e sundo" i ka kufijtë e saj.Â

KOMENTE