"Shoqëria jonë "postluftë", ka ditur të rreshtohet në mënyrë të shkëlqyeshme brenda kornizave eksplicite ku fuzionohet mendimi i lirë, vullneti i lirë qytetar, sistemi etj. Kjo duhet vlerësuar me përkushtim dhe duhet çmuar ex katedra, pavarësisht mendimeve dhe vullneteve divergjente qytetare"
Nga Fehmi Ajvazi*
Nuk është diçka e re për qytetarët e Kosovës, procedura e votimit. Qytetarët dhe shoqëria jonë, edhe pse nuk vijnë nga sferat e traditës së lashtë të kultivimit të demokracisë, kanë treguar që munden të qenësohen logjikshëm në korniza të vlerave dhe parimeve të sistemit të demokracisë.
Shoqëria jonë "postluftë", ka ditur të rreshtohet në mënyrë të shkëlqyeshme brenda kornizave eksplicite ku fuzionohet mendimi i lirë, vullneti i lirë qytetar, sistemi etj. Kjo duhet vlerësuar me përkushtim dhe duhet çmuar ex katedra, pavarësisht mendimeve dhe vullneteve divergjente qytetare, pavarësisht vështirësive të ndryshme, ideve dhe praktikave që shfaqen gjithandej, bazuar në faktin që më 15 Nëntor ( 2009) do të rreshtohemi sërish në fushën e "lojës" perfekte që imponon demokracia si sistem. Thjeshtë: do të rreshtohemi në provën e zgjedhjeve të radhës, për pushtetin lokal.
Sovrani popull, e ka fjalën të dielën më 15 Nëntor.
Populli, do të votojë i lirë për subjektet politike që i preferon. "Liria e votës" apo "Fshehtësia e votës", është thelbi që determinohet nga sistemi demokratik, si më i miri sistem ndër sistemet politike që njeh shoqëria dhe historia e organizuar njerëzore. Çërçilli ka thënë pak a shumë kështu: "…as sistemi demokratik nuk është më i miri por, s'ka sistem më të mirë se ky".
Duke qenë demokracia vlerë njerëzore-universale, Kosova ka nevojë që të ndërtojë në vazhdimësi rrugën e demokracisë dhe të fuqizohet në këtë univers.
Zgjedhjet para të cilave ndodhemi, e "provokojnë" në disa mënyra kapacitetin tonë të organizimit dhe të zhvillimit demokratik. Janë disa arsye aktuale, ecja drejt të cilave shëmbëllen me provat e lirisë dhe të demokracisë të cilat ngase janë universale, çmohen dhe zhvillohen kudo.
E para, këto janë zgjedhje historike për Kosovën sepse mbahen të organizuara në mënyrë të mvetësishme pas 17 shkurtit 2008, dita kur u shpall pavarësia e vendit.
Duke qenë të këtilla, këto zgjedhje mendoj që duhet të ‘provokohen' nga ndjenja plebishitare: qytetarët, t'u përgjigjen zgjedhjeve të 15 nëntorit me dalje masive në vendvotime. Faktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtar, tashmë e kanë dhënë këtë mesazh.
Në demokracitë e zhvilluara dhe konkurrente, zgjedhjet janë një festë më vete. E qartë: mbase nuk jemi ende në këtë stad mirëpo, s'mund të vendnumërojmë dhe aq më pak të kthehemi prapa! Përkundrazi…
E dyta, dalja në votime është një obligim moral dhe kushtetues, sado që ky "obligim" nuk është i detyrueshëm dhe as i sanksionuar me ndonjë lloj norme.
Kurse dalja masive në zgjedhje, do ta rriste kredibilitetin e shoqërisë kosovare në plotësimin e këtij standardi strategjik të sistemit të demorkacisë dhe të shtetit ligjor, do ta forconte vetëdijen tonë individuale dhe kolektive për faktin që dimë dhe mundemi tutje të gjitha problemeve, t'i kryejmë detyrat tona të shtëpisë ashtu siç kërkohet.
E treta, dalja masive në zgjedhje, do ta forconte vetëdijen tonë individuale dhe kolektive në avancimin dhe forcimin e mekanizmave të organizuar qeverisës-shtetëror.
Sprova e organizimit dhe e mbajtjes së zgjedhjeve, është atributi ynë kolektiv sa do që ka një institucion të ligjshëm që i prinë procesit dhe që vërtetë ka bërë dhe po bënë një punë kolosale në këtë drejtim (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), dhe ky atribut duhet të na mbajë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm përpara detyrave që kemi në mënyrë që "15 Nëntori", të shkojë sa më mbarë.
Qytetarët, do t'i votojnë me vullnetin e tyre të lirë, 74 subjekte politike nën vëzhgimin e mbi 21.000 vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtar. Prandaj procesi i votimit në ditën e 16 nëntorit duhet t'i gëzojë qytetarët realistë, duhet t'i qetësojë skeptikët dhe duhet t'i sfidojë kundërshtarët e shtetit të Kosovës dhe konformistët destruktivë.
Mendimi im është që "trinomi" në fjalë, duhet të etablohet thellë brenda kornizave të vlefshme të këtij procesi: kuptohet, nëse njerëzit në Kosovë janë me të vërtetë koshientë këndej kufirit të moshës mbi 18 vjeç, këndej divergjencave normale shoqërore dhe politike, këndej mërive të mundshme etj.
Qytetarët, duhet t'i përgjigjen me lehtësi të vetëdijshme ditës së votimit sepse mosdalja e vetëdijshme në zgjedhje, refuzimi i çfarëdoshëm qytetar, neglizhenca nuk janë zgjidhje mirë, bazuar në pasojat reale që mund t'i ketë shoqëria, sistemi, shteti.
Prandaj, dalja në zgjedhje në shkallë të theksuar ka dimensione pozitive në pikëpamje të rritjes së kapaciteteve absorbuese të vlerave organizative edhe të vlerave shoqërore-shtetërore, demokratike.
Sfida e mosdaljes apo e refuzimit, nuk e zgjidh asnjë problem. Vota është arma e fuqishme e mendimit dhe e vullnetit demokratik sepse, në rend të parë siguron ciklin e zgjedhjes dhe të përfaqësimit të interesit qytetar në institucione dhe organe të caktuara, siguron kontinuitetin e ruajtjes së kohezionit të politikave dhe kulturave demokratike lidhur me forcimin e institucioneve plurale-demokratike, siguron linja e ndërtimit të traditës së organizimit demokratik-shtetëror të zgjedhjeve përmes votës së lirë.
Linjat që e kanë determinuar këtë proces në Kosovë janë kusht i materializimit të tij në suaza të kornizave institucionale-ligjore, ashtu si edhe në suaza të kornizave menaxhuese nga faktorë të involvuar drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi në procesin e organizimit dhe të mbajtjes së zgjedhjeve.
Por veç organizimit të zgjedhjeve, ç'farë është e rëndësishme për procesin deri në çastin kur ai do të shpallet i përfunduar…? Siç theksova edhe më lartë, dalja në zgjedhje është diçka që e pasuron dhe e dinamizon shoqërinë e organizuar dhe demokratike, kurse sfidimi i heshtur apo edhe i organizuar i procesit të votimit gjithsesi e prolongon, e mbase edhe e godet negativisht shoqërinë dhe demokracinë.
Ndërkaq, "as prolongimi dhe as goditja", nuk janë zgjidhje që do të prodhonin diçka të vlefshme për Kosovën. Përkundrazi, do të mund të sillnin vetëm shijen e gjërave që i njohim për nga natyra e keqe e tyre.
Prova për zgjedhjet e 15 nëntorit, është përgjegjësia e përbashkët e të gjithë faktorëve relevant dhe jorelevant në Kosovë. Kjo provë, e cila do të shprehet (dhe duhet të shprehet…) me suksesin e vet të pajustifikueshëm më 15 nëntor, mendoj që është në rend të parë ‘prova e vërtetë Kosovës' e organizimit të mvetësishëm shtetëror sepse ndryshe, s'bën…!
Prandaj suksesi që patjetër duhet të ndodh më 15 nëntor, apriori do të jetë "sukses" i përbashkët i demokracisë dhe i shtetësisë në Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
(*) Dërguar për NOA, nga autori