English

Qeveria e Kosovës reagon për sulmin ndaj kryeministrit: Fajtorët të kërkojnë falje

Prishtinë, 11 nëntor NOA - Qeveria e Republikës së Kosovës doli para pak minutash me një deklaratë të posaçme për media ku tha se dënon ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorëve të tij, që ka ndodhur sot në Deçan.

"Kosova është krenare me demokracinë e saj. Ata që veprojnë me dhunë kundër kësaj demokracie dhe institucioneve të saj përfaqësuese e dëmtojnë shtetin tonë", - thuhet në reagimin zyrtar të qeverisë.

"Ne duhet të sillemi si një demokraci e pjekur dhe përdorimi i dhunës është i papranueshëm", - vijon deklarata.

"Ne i ftojmë të gjithë nxitësit e dhunës që të ndalojnë këto sjellje, që të kërkojnë falje dhe të sillen si duhet në frymën e demokracisë, për arritjen e së cilës kemi sakrifikuar të gjithë", - vazhdon reagimi zyrtar.

Kurse në përfundim, qeveria paralajmëron: "Ndërhyrja në procesin zgjedhor është një shkelje e rëndë dhe aktet kriminale te nxitura politikisht do të ndiqen penalisht nga organet përgjegjëse".

Ngjarja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherazi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është sulmuar sot pasdite vonë në Deçan, gjatë një axhende elektorale.

Lajmi konfirmohet nga burime policore në vendngjarje të cilave i referohet korrespondenti i agjencisë NOA.

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në momentet kur një grup njerëzish, ende të paidentifikuar, sulmuan makinën e kryeministrit Thaçi dhe eskortën e tij, duke qëlluar dendur me gurë.

Gjithçka ndodhi në momentet kur sapo kishte përfunduar tubimi përmbyllës parazgjedhor në Bashkinë e Deçanit, kur Thaçi sapo kishte dalë nga Shtëpia e Kulturës e qytetit.

a.b/f.sh/NOA

KOMENTE