Tiranë, 12 nëntor NOA - Policia e Tiranës arreston një 56-vjeçar të kërkuar nga FBI për trafikim droge.
Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, realizuan mbrëmë kapjen 56-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Gazmir Gjoka, lindur në Tiranë me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas policisë, ndaj tij, autoritetet e Interpol Washinton në ShBA e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, për "Shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike". Ndërkohë, në ngarkim të tij, autoritetet New Jersey më datë 12 mars 2009, kanë vendosur masën e sigurisë në mungesë me "Arrest në burg" për veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike". burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se Gjoka u kap pranë stadiumit "Qemal Stafa" në Tiranë. I kërkuari do t'i dorëzohet për qëllim ekstradimi autoriteteve të New Jersey në SH.B.A, për në drejtim të vendit të vuajtjes së dënimit. k.k/NOA