Tiranë, 12 Nëntor NOA UPDATE-"Procesi zgjedhor i 28 qershorit ishte procesi më i mirë i realizuar deri tani në Shqipëri dhe zgjedhësit e këtij vendi bashkë me forcat politike kurorëzuan procesin më të mirë zgjedhor të historisë së vendit", kështu ka deklaruar kryeministri i vendit Sali Berisha në seancën e sotme të Kuvendit.
Berisha ka theksuar se gjatë zhvillimit të zgjedhjeve nuk pati asnjë incident dhe procesi mori vlerësimin maksimal nga organizmat ndërkombëtarë.
Sipas kryeministrit, këto vlerësime duhet ta bindin opozitën të kthehet në kuvend, pasi ishin zgjedhje në të cilat mandatet e deputetëve si asnjëherë u votuan nga të gjithë anëtarët e komisionit zgjedhor.
Berisha ka vlerësuar me nota pozitive rolin e mediave, të cilat sipas tij nuk transmetuan asnjë incident gjatë procesit të votimit.
"U realizuan zgjedhje përmes mediave të lira, të cilat nuk paraqitën para opinionit publik, vendas dhe të huaj, asnjë incident gjatë procesit.
Këto zgjedhje ishin një festë për popullin shqiptar, duke parë pjesëmarrjen më të madhe në histori", vijoi kryeministri në fjalën e tij.
Më pas ai ka theksuar se bojkoti i opozitës nuk do të cënojë për asnjë moment procesin e pandalshëm të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.
Sipas Berishës, zgjedhjet e 28 qershorit e nxorrën Shqipërinë nga lista e zezë e vendeve me zgjedhje të këqija, duke i hapur rrugën reformave të cilat do ta afrojnë vendin më pranë BE.
m.i/NOA