English

Botime të reja, në shqip "Gandi-Jeta"

Nga Milena Selimi

Tiranë, 12 Nëntoe NOA-"Këtë libër e shkrova për ne, shqiptarët.

U përpoqa të vija në dukje ato cilësi të Gandit për të cilat kishim më shumë nevojë ne, shoqëria shqiptare".

Kështu prezantohet përpara lexuesit përkthyesi Ilir Hashorva, i cili ka shqipëruar librin "Gandi-Jeta", një nga botimet e reja që shtëpia botuese Toena ka hedhur në tregun e Panairit të Librit.

"Kur lexova për herë të parë librin autobiografik të Gandit: "Tregimi i eksperimenteve të mia me të vërtetën, një autobiografi", u mahnita.

M'u hap një botë krejt e re, një botë që edhe pse ndodhej në nënvetëdijen time, vazhdonte të qëndronte e fjetur.

Gandi ishte shumë ndikues.

Libri i tij, jo vetëm i shkruar bukur, por edhe i përkthyer shumë mirë në anglisht nga sekretari i tij, Mahadev Desai, ishte nga gjërat më të bukura që kam lexuar".

Jo rastësisht shkruhet për këtë figurë dhe personalitet të jashtëzakonshëm.

Në fund të shekullit të njëzetë, revista e njohur amerikane "TIME" shpalli, sipas zgjedhjes së saj, njëqind personalitetet më të shquara të shekullit të njëzetë.

Sipas fushave të aktiviteteve, ajo i ndau ato në pesë grupe, me nga 20 persona në secilin grup.

Njëri prej grupeve emërtohej: "Udhëheqës dhe Revolucionarë".

Në këtë grup hynin kryesisht politikanë.

Midis tyre ishte edhe Gandi. Revista, veças, shpallte fizikantin, Albert Ainshtain, si personalitetin më të shquar të shekullit dhe, bashkë me të, edhe dy shoqëruesit e tij.

Ata ishin udhëheqësit shoqërorë e politikë: indiani Mohandas Gandi dhe amerikani Franklin Delano Rusvelt (Franklin Delano Roosevelt).

Po të kemi parasysh se për caktimin e Rusveltit në atë vend, patjetër, ka ndikuar edhe të qenët e tij amerikan dhe president dhe se Ainshtaini ishte më shumë shkencëtar e më pak udhëheqës shoqëror e politik, mund të thuhet se, për revistën "TIME", Gandi mbetet personaliteti shoqëror e politik botëror më i shquar i shekullit të njëzetë.

Po ashtu, stacioni i mirënjohur radio-televiziv britanik BBC, zhvilloi një votim të drejtpërdrejtë në vitin 2000, për të përcaktuar njeriun më të madh të mijëvjeçarit që shkoi. Gandi zuri vendin e parë.

Gandi, ndonëse ishte një udhëheqës shoqëror e politik që e çoi Indinë drejt pavarësisë dhe transformoi indianin e zakonshëm, për indianët ai ishte shumë më shumë se aq, ai ishte udhëheqës shpirtëror, i krahasuar vetëm me themeluesit e feve. Luis Fisher (Louis Fischer), studiues dhe biograf i Gandit, si për të veçuar Krishtin, thotë: "Gandi ishte... ndoshta figura më e madhe e nëntëmbëdhjetë shekujve të fundit."

Shkrimtari i dëgjuar indiano-britanik Salman Rushdie e karakterizon Gandin si: "Një personalitet shumë interesant, nga më kompleksët dhe nga më kontradiktorët e shekullit." Gandi udhëhoqi çlirimin e Indisë, frymëzoi Lëvizjen Amerikane për të Drejtat e Njeriut, frymëzoi çlirimin pa dhunë të kontinentit afrikan, u nderua e u respektua kudo në botë, u kuptua, por mjerisht, edhe u keqkuptua.Â

Përkthyesi Hashorva shkruan në parathënien e librit se "Desha të shkruaja një ese për t'ua bërë të njohur Gandin shqiptarëve, për të cilët kam kuptuar se, ndonëse kanë dëshirë dhe nevojë ta njohin, nuk e njohin si duhet dhe sa duhet edhe pse, nganjëherë, i referohen apo e citojnë".

Ky libër është i përmbysur ndaj moralit real tradicional që njohim dhe që zbatojmë ne. Për këtë arsye, nuk është e lehtë të kuptohet apo të pranohet që në fillim Gandi, por po u kuptua dhe po u pranua, ai mund të bëhet një antidote për të shpëtuar nga helmi i të këqijave që po mundon botën në përgjithësi dhe shqiptarin e sotëm në veçanti, i cili, në liri, kopjon gjërat më të këqija të shoqërive të huaja dhe vë në jetë traditat më të përçudnuara të veta.

Një pjesë e madhe e shoqërisë së sotme shqiptare, ka nevojë të modifikojë tiparet e saj, sjelljet e saj.

Kur Gandi la Afrikën e Jugut dhe shkoi përfundimisht në Indi, e gjeti Indinë në gjendjen më të mjerë të mundshme, e gjeti në atë gjendje, që çdo indiani që kuptonte disi, do t'i vinte turp dhe do ta mohonte.

Por, Gandi, asaj Indie, i tha: "E gjithë India është familja ime," dhe ai jetoi, punoi e vdiq në bazë të asaj thënieje. Ku libër sjell një studim për Gandin, i cili u konceptua si një libër në tri pjesë.

Pjesa e parë përmban një njohje të shkurtër mbi Indinë dhe jetën e Gandit; pjesa e dytë përmban filozofinë e Gandit, gandizmin; pjesa e tretë përmban ese, komente e analiza për Gandin dhe gandizmin.

m.i/NOA

KOMENTE