Tiranë, 12 Nëntor NOA-Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka deklaruar sot se administrata shqiptare është gati për të plotësuar pyetësorin e Komisionit Evropian.
"Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin",- tha Bregu.
Sipas saj, në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura duke përfshirë edhe Parlamentin.
Institucionet në varësi të ministrive nuk janë llogaritur, d.m.th. Departamenti i Administratës Publike nuk është numëruar si institucion më vete, por si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Ose, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë.
Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45.
Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për Pyetësorin.
Deri më tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej.
Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel Ministrash, ndërkohë qe administrata do te jete e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori.
Fazat e procesit:
- Faza fillestare ajo e zbërthimit të pyetjeve e ndjekur nga
- Hartimi i përgjigjeve
- Analiza e tyre
- Hartimi i variantit final të përgjigjeve
- Përkthimi i centralizuar
- Miratimi i përgjigjeve
- Dorëzimi i përgjigjeve në Bruksel.
Ndërkaq, është riorganizuar e gjithë Ministria e Integrimit për koordinimin dhe monitorimin e këtij procesi, paralelisht me strukturat në misionin tonë në BE dhe delegacionin e KE-së në Tiranë.
m.i/NOA