Nga Milena Selimi
Tiranë, 12 Nëntor NOA-Në ambientet e Ambasadës Gjermane është hapur ekspozita "Nga Revolucioni Paqësor tek Bashkimi i Gjermanisë", një ekspozitë posterash që prezanton fakte dhe prapaskena të ndodhive nga vera e vitit 1989 deri në ribashkimin e Gjermanisë më 3 tetor 1990.
Fotot dhe tekstet hedhin një vështrim prapa në momente prekëse të historisë gjermane. Ekspozita u përpunua nga fondacioni "Për zbardhjen e historisë së diktaturës së SED-it" (Unionit Socialist Gjerman) së bashku me fondacionin jofitimprurës "Hertie".
Ajo sjell në kujtesë protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve vendore të majit në RDGJ, arratisjet e verës dhe protestat masive në vjeshtë 1989.
Posterat informojnë mbi demokratizimin e RDGJ-së, solidaritetin gjermano-gjerman dhe hedhjen e shinave të politikës së jashtme deri në arritjen e bashkimit të Gjermanisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e Ambasadës Gjermane deri më 20 nëntor.
Mund të vizitohet nga publiku nga e hëna deri të enjten, ora 14.00 -- 16.00.
m.i/NOA