Bukuresht, 12 Nëntor NOA - Gjatë Ministerialit të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ), që u mbajt sot në Bukuresht, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Franko Frattini.
Gjatë takimit me z. Meta, z. Frattini vlerësoi progresin e arritur prej Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave dhe rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për reformat që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të integrimit të saj evropian.
Ministri Frattini i shprehu Zv. Kryeministrit Meta vullnetin e Qeverisë italiane për t'a parë Ballkanin Perëndimor si pjesë të Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shprehu bindjen se vendimi për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Schengen të Bashkimit Evropian se është çështje muajsh dhe ai do të merret shumë shpejt gjatë vitit që vjen.
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta e siguroi Ministrin Frattini për vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizimi ne vizave dhe i shprehu atij mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fuqishme që Italia vazhdon t'i japë Shqipërisë në të gjitha proçeset integruese.
Z. Frattini, gjatë fjalës së tij në këtë Ministerial, theksoi rëndësinë e rilançimit të Nismës së Evropës Qendrore, me objektivin e favorizimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian për ato vende anëtare të Nismës që ndodhen ende jashtë tij, nga Shqipëria në Kroaci, nga Serbia në Bosnje-Hercegovinë e në Mal të Zi.
Ky ishte mesazhi që Ministri Frattini përcolli në Bukuresht gjatë Takimit të Ministrave të Jashtëm të NEQ-it.
e.l/NOA