English

Jakshiç: Serbët po hynë në zgjedhje, njohin pavarësinë e Kosovës

Prishtinë, 12 nëntor, NOA - Nëse serbët e Kosovës marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, i bie që ata të pajtohen edhe me pavarësinë e saj.

Kështu ka pohuar përfaqësuesi i serbëve në veri të Kosovës, Marko Jakshiç, i cili mban në të njëjtën kohë edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Serbe të Komunave në Kosovë.

Sipas tij, serbët kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë të zgjedhur në zgjedhjet serbe të vitit të kaluar dhe duhet t'i binden këshillave të qeverisë dhe kishës serbe për bojkot të zgjedhjeve të Kosovës.

Në këtë mënyrë, ai ka dalë kundër mendimit të shprehur një ditë më parë nga përfaqësuesja tjetër e serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviç, sipas të cilës nëse nuk hyhet në zgjedhje, i bie që pushteti i komunave serbe t'u kalojë rrjedhimisht shqiptarëve.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se një grup intelektualësh të Serbisë po qëndrojnë në Kosovë për t'i nxitur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të së dielës dhe të vendosin vetë për të ardhmën e tyre, në një kohë kur është parashikuar që 22 subjekte politike serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës.

Përkrahësit serbë të këtyre zgjedhjeve thonë se ato paraqesin një rast për mbijetesën e serbëve në hapësirat e Kosovës por për Jakshiç, kjo është në dëm të të ardhmës së serbëve në Kosovë.

n.e/NOA

KOMENTE