Tiranë, 12 Nëntor NOA - Një grup të rinjsh që u hodhën në protestë, janë filmuar nga policia dhe pasi u siguruan provat ndaj tyre, u ngritën edhe tre akuza penale.
Burime nga Komisariati i Policisë Nr.5 në Tiranë, i thanë sot agjencisë NOA se hetimi nisi pasi në orën 06.10, tek Godina e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agro-Biznesit, në Universitetin e Kamzës,
janë konstatuar një grup ish-studentësh rreth 50 persona, të cilët kishin bllokuar këtë godinë.
Policia pohoi se me ngritjen e grupit hetimor, i cili bëri filmimin e protestuesve, iu mor kallëzim Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agro-Biznesit, Bahri Musabelliu.
Ky i fundit ka kallëzuar se si pasojë e kësaj proteste, është bllokuar mësimi në të gjithë Universitetin.
Policia tha se u bë i mundur identifikimi i organizatorëve të kësaj proteste, të cilët janë shtetasit: Bledar Sh., Dorel S., Granit S., Entil A. dhe Mirdash Th., për të cilët policia pranoi se nuk u bë i mundur shoqërimi i tyre në Komisariat.
Policia pohoi se materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, në gjendje të lirë, për veprën penale të "organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "prishja e qetësisë publike" dhe "kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", në ngarkim të gjashtë të rinjve.
e.l/NOA