English

PS: Studentët në grevë, fituan të drejtën përmes vetëflijimit

Tiranë, 12 nëntor NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shmaku ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë së cilës ka theksuar se studentët e Universitetit Bujqësor fituan betejën me ministrinë e Arsimit vetëm përmes vetëflijimit.

"Mbrëmë studentët e Universitetit Bujqësor fituan, para së gjithash se ishin në të drejtën e tyre, të drejtë që ua garantojnë ligjet e mbara evropiane, por që kërkojnë t'ua heqin fermanët e shpikura nga Sali Berisha.

Fituan edhe se ju gjendën në krah studentë nga Vlora që veç një muaj më parë kjo qeveri i detyroi të dergjeshin gjashtë ditë e net po ashtu në grevë urie për të mbrojtur të drejtat. Ju gjendën në krah edhe studentë nga Tirana që para një viti po kjo qeveri i detyroi të braktisnin plot dy muaj leksionet e të protestonin nëpër sheshet e Tiranës. Fituan se patën po ashtu në krah vëmendjen e mediave të pazaptuara nga Berisha, të cilat me gatishmërinë e tyre shmangën disa herë dhunën policore që qeveria zgjodhi si mjet zgjidhjeje" tha Shmaku.

"Pavarësisht fitores, vijojmë sot të mbetemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën sesi u dashka ta mbrosh të drejtën në këtë vend. Grevat pa mbarim të studentëve të Tiranës, Vlorës e tash edhe të Kamzës flasin qartë" shtoi më tej deputetja socialiste.

k.k/NOA

KOMENTE