Paris, 12 nëntor, NOA - Shqipëria dënon kategorikisht të gjitha veprimet e terrorizmit, si kriminale dhe të pajustifikueshme, pavarësisht nga motivimi i tyre, format dhe manifestimi.
Si vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për anëtarësim në Bashkimin Europian, ajo u është bashkuar të gjitha përpjekjeve e luftës të vendeve demokratike duke u bërë pjesë edhe e strategjive dhe veprimeve parandaluese ndaj atyre që sponsorizojnë, organizojnë ose kryejnë akte terroriste.
Një fakt të tillë presidenti Bamir Topi e ka pohuar gjatë fjalimit të mbajtur në samitin e rëndësishëm të "Forumit të Krans Montanës" për krimin transnacional që po zhvillohet në Paris, ku ai gjendet si i ftuar.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, Topi ka pohuar faktin se Shqipëria, Ballkani, Evropa Juglindore kanë një pozitë gjeografike lakmuese për tranzitimin e linjave ndërkombëtare të trafikimit të paligjshëm dhe të krimit të organizuar.
Porse sipas tij, Shqipëria është në pritje të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e angazhuar në përmbushjen e standarteve demokratike, pjesë e rëndësishme e të cilave është edhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik. "Masat që ajo ka marrë në këtë drejtim synojnë përafrimin e legjislacionit me BE, vënien në zbatim të detyrimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, ndryshimet në Kodin Civil për ta përshtatur me standardet e Konventës Civile të Këshillit të Evropës", tha më pas ai.
Duke shtuar se të ndërgjegjshëm se ky fenomen është rajonal dhe global, Shqipëria e ka shtrirë bashkëpunimin me vendet e Evropës Juglindore në shumë drejtime.
"Shekulli i XXI mund të quhet pa dyshim, shekulli i tekonologjisë së lartë, i komunikimit të shpejtë dhe i distancave të shkurtuara. Por ai do të quhet shekulli i njerëzimit, në se qeveritë dhe vendet demokratike do të bashkojnë mundësitë, energjitë dhe strategjitë jo vetëm për të goditur fenomenet e krimit transnacional, por edhe për të asgjesuar rrënjët dhe burimet e tij të vërteta", përfundoi fjalën e tij presidenti Topi në forumin e Krans Montanës.
n.e/NOA