Tiranë, 12 nëntor NOA - Një ditë pas vizitës së tij bashkë me disa kolegë të tjerë në tunelin e Rrëshen-Kalimashit, deputeti i PS-së Namik Dokle ka deklaruar se rruga e cila nisi si kombëtare u shndërruar në rrugë elektorale.
"Rruga nisi mbarë si projekti i shekullit, dhe u shndërrua për turp në korrupsion të shekullit, nisi shkencërisht me teknologji moderne dhe u godit nga parametrat e shkelur politikisht dhe arbitrarisht nga megalomania e ecjes së shpejtë se koha, politika në plan të parë.
Të gjithë këto shkelje, bën që gëzimi i mbarë shqiptarëve për hapjen e kësaj rruge të ngrijë në buzë nga mbyllja e saj kur ende atje valëviten flamuj të fushatës elektorale.
Shembja e tunelit të Kalimashit, nuk erdhi nga presionet radiale, por nga presionet qeveritare, për të dalë mbi rregullat e teknologjisë bashkëkohore" tha sot Dokle.
Sipas tij, shembja e tunelit të Kalimashit, nuk erdhi nga strukturat e dobëta shkëmbore, por nga strukturat shtetërore që për shkencë njohin fjalimet e kryeministrit, për teknologji njohin premtimet elektorale të tij dhe për kohë e masë shpërthimesh në tunel njohin shpërthimet mitingashe të Kryeministrit.
"Ne ishim atje për të siguruar transparencë të plotë mbi çështjen, nëse 5 verbanakë të zyrave komunarë të Fanit, nuk duan të dinë asgjë, 5 milion shqiptarë, këtu dhe në Kosovë, duan të dinë pse u mbyll rruga, pse u mashtrua me inaugurimet elektorale dhe mbi të gjitha dhe më e rëndësishme, kur do të hapet përfundimisht dhe normalisht kjo rrugë.
Bashkë me tunelin duhet të rihapet edhe dosja kundër abuzimeve të mëdha në këtë vepër kombëtare, që duke qenë e tillë, i bën edhe më të rënda ato" tha më tej Dokle.
k.k/NOA