English

Vijon muaji i "Tetorit Gjerman", mbërrin në shqip botimi "Nuk mund të jetë zi"

Tiranë, 12 nëntor, NOA - Në kuadrin e muajit "Tetori Gjerman" në Shqipëri, edicioni i tij i tretë është shoqëruar me performancë, promovime, shfaqje teatrale dhe koncerte të ndryshme, të cilat kanë pasuruar jetën kulturore në vend.

Sot në mbrëmje në Teatrin e Metropolit publiku kryeqytetas do të mund të ndjekë një mbrëmje poetike, me poezi moderne gjermane në shqip.

Për herë të parë vjen në shqip një nga poetët më të mëdhenj gjermanë të shekullit XX-të, Gottfried Benn.

Në botimin dy-gjuhësh gjermanisht-shqip "Nuk mund të jetë zi" dy shqipëruesit Ardian Klosi dhe Edvin Cami janë përpjekur të japin në mënyrë sa më besnike filozofinë e poetit, bashkë me ritmet dhe muzikalitetin e origjinalit.

Për ta kthyer prezantimin e librit në një mbrëmje kushtuar poezisë së gjuhës gjermane më 12 nëntor 2009, ora 18.00 në Teatrin e Metropolit, do të mund të dëgjoni jo vetëm poezi të Benn-it, po gjithashtu shqipërime nga Heine, Rilke, Brecht etj, si dhe këngë të shfaqjes së Brehtit "Opera për tre grosh" interpretuar nga Gentian Rushi (piano) dhe Olsa Papandili (vokal).

n.e/NOA

KOMENTE