Tiranë, 12 nëntor NOA - Ministria e Brendshme ka deklaruar sot se po përmbush çdo ditë të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Me anë të një deklarate lëshuar mesditën e sotme, ministria e Brendshme ka radhitur disa nga kriteret e përmbushura gjatë kohëve të fundit.
Dokumentet e identitetit, është një nga kriteret që ministria e Brendshme thekson se e ka përmbushur bindshëm duke shtuar se Shqipëria nisi prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike në Maj 2009.
"Për shkak të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet parlamentare të qershorit, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike filloi efektivisht në javën e parë të muajit Korrik 2009' thuhej në deklaratën e dikasterit blu.
Menaxhimi i kufijve është një tjetër kriter i përmbushur që sipas ministrisë së Brendshme para dy javësh ka përfunduar instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, brenda 14 ditësh në të gjithë pikat e kalimit kufitar do të përfundojë vendosja e lexuesve optikë të pasaportave biometrike.
"Në të gjitha pikat e kalimit kufitar mundësohet në kohë reale lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it.
"Sistemi TIMS është i ndërlidhur me qendrën operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sistemi i analizës së informacionit kriminal MEMEX po instalohet dhe do të funksionojë brenda muajit Nëntor në të 12 drejtoritë e policisë në qarqe.
Po unifikohet sistemi i kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin "one stop shop" që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj.
Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave muajin e kaluar për ngritjen e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar, po punohet për funksionimin e kësaj qendre brenda muajit Dhjetor' përfundon deklaratën e saj ministria e Brendshme.
k.k/NOA
Â