Vlorë, 12 nëntor NOA - Vetëm pak ditë pas krijimit të zyrave të njësisë së re Antikorrupsion në disa qarqe të vendit, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka vendosur sot të inspektojë njërën prej tyre pikërisht atë në Vlorë.
Kryeprokurorja, Ina Rama ka nisur një tur takimesh në rrethe aty ku janë ngritur njësitë Task Forcë, për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me Njësitë e reja të krijuara në 6 rrethe të vendit.
Gjatë takimit me drejtuesin, prokurorë dhe oficerë të policisë pjesë e njësisë Task Forcë në Vlorë, Rama ka vënë theksin tek përkushtimi në punë dhe profesionalizmi.
"Vetëm efektiviteti në punë do të sjellë rezultate.
Rezultatet pozitive të arritura nga Njësitë Task Forcë do të ndikojnë në rritjen e besimit të publikut tek puna që mund të bëjnë organet e zbatimit të ligjit në luftë kundër fenomenit negativ të korrupsionit dhe krimit ekonomik" " tha Rama gjatë takimit.
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama iu ka kujtuar drejtuesve të Task Forcë se këto njësi janë ngritur me synimin për të rritur cilësinë e ndjekjes penale, për të rritur numrin e rasteve të ngritjes së akuzës dhe dërgimit në gjykatë të autorëve të veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit.
k.k/NOA