English

Hervin Çuli: Mirandolina, shfaqja ime më e mirë

Tiranë, 13 Nëntor NOA-Mirandolina lozonjare ka ‘prekur' mbrëmë në darkë në Metropol edhe ndjenjat e meshkujve më të ‘egër' ndaj seksit të butë.

Batuta, muzikë, këngë dhe shumë të qeshura janë dëgjuar në këtë premierë deri në orën 22.20 të së enjtes. Me elegancë dhe sensualitet, me karaktere dhe personazhe të skalitura, premiera e parë e sezonit e Teatrit të Metropolit, "E Zonja Bujtinës" ka kaluar me sukses provën e parë, në një shfaqje speciale për mediat. Një komedi brilante nga Carlo Gordoni, në regjinë e Hervin Çulit, duket se ka qëndruar si në ‘shtëpinë e vet' në skenën e re të këtij teatri 120 vendësh.

Në një konferencë për shtyp, mbajtur sot paradite në ambientet e këtij teatri, aktorët dhe regjisorët e quajtën një provë të suksesshme shfaqjen e parë të kësaj premiere. I pyetur për konceptin e tij regjisorial dhe punën me aktorët Çuli përgjigjet se "Tentoj të kem një grup aktorësh, me të cilët më lidhin dëshira, pasioni dhe kuptimi për artin e teatrit. Një nga ëndrrat e mia lidhet ndoshta me idenë e asketit, do të ishte një teatër, ku bashkëpunimi me një grup të pandryshueshëm aktorësh, do të mund të lejonte një ripërsëritje të asaj që ka ndodhur shekuj më parë në "Comedia dell Arte". Nuk është shqetësuar nga skena e vogël dhe jo tradicionale e këtij teatri, e cila sipas drejtorit të Qendrës Metropolitane, Kiço Londo, "asgjëson skenografinë, por i jep më shumë liri veprimi idesë dhe konceptit regjisorial". Në shfaqjen e mbrëmshme spikatën aktorët Genc Fuga, në rolin e Kontit, në një gjetje të elementëve që pasuronin figurën e personazhit dhe në veçimin e detajeve artistikë të gjetur me mjeshtëri dhe realizëm. Në të njëjtin regjistër qëndronte edhe Kalorësi-Fatos Sela, një personazh dy-planësh, që arriti të sjellë në skenë një karakter sa të egër, po aq edhe të vuajtur nga dashuria. Interesantë në lojën e tyre edhe çifti i damave Ortensia-Dejanira, interpretuar nga Adelina Muça dhe Ermonela Alikaj, si dhe Fabricio-Gent Deçka. I zhdërvjellët në interpretimin skenik edhe Markezi i Forlipopolit, aktori Arben Spahia, që në fillin e përgjithshëm të komedisë solli emocione të veçanta në momente të situatës dhe të batutës. ‘Shkodrançja' e shqiptuar prej tij, u duartrokit nga spektatori dhe duket se nuk e rrezikonte Goldonin e vitit 1751. Mirandolina-Eni Jani arriti të mbajë gjallë komedinë me lojën lozonjare dhe pushtetin e hireve të bukurisë femërore.

Hervin Çuli është regjisori, që ka tentuar disa herë të marrë risqet e angazhimit të aktorëve të rinj në shfaqjet e tij teatrore, si dh etë shprehet në skenë nëpërmjet një gjuhe të drejtëpërdrejtgë dhe realiste. ‘Rreziku', tashmë një sfidë e kaluar me sukses e detyron të pranojë se "E Zonja e Bujtinës" është shfaqja ime më e mirë".

m.i/NOA

KOMENTE