"Kriza", me të cilën po përballet BE-ja, është rezultat i suksesit historik të Unionit. Përderisa BE-ja ka dëshmuar një rekord të jashtëzakonshëm në fushën e zgjerimit, institucionet për integrim kanë mbetur prapa. Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, ankohet për mungesën e politikës së përbashkët ekonomike, energjetike dhe të jashtme, politika këto të cilat BE-së do t'i mundësonin që në fushën e çështjeve globale të luante rolin e aktorit e jo të spektatorit
Nga Tom Fittzpatrick*
Dy dekada pas rënies së murit të Berlinit, Evropa
duket se po përgatitet për një moment tjetër të rëndësishëm të ndryshimeve historike. Së fundi, udhëheqësit e Unionit u tubuan në Bruksel për të kërkuar një rrugë përpara, sa i përket ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Përpjekjet e tyre u shpërblyen më 3 nëntor me nënshkrimin e Traktatit nga ana e presidentit të Çekisë, Vaclav Klaus. A do t'i mundësojë Traktati BE-së të luajë një rol më aktiv në çështjet ndërkombëtare? Përtej Atlantikut, dy ish-kryesues të shteteve në Evropë, tani akademikë në Institutin Watson për Studime Ndërkombëtare, iu adresuan gjithashtu çështjes së unitetit të Evropës. Ish-kryeministri i Italisë dhe ish-presidenti i Komisionit të Evropës, Romano Prodi, përkujtoi se të arriturat e BE-së kanë qenë të jashtëzakonshme. Gjashtë shtete në vitin 1957 filluan përpjekjet për bashkimin e Evropës. Pesë dekada më vonë, BE-ja përbëhet nga 27 shtete. Prodi theksoi se ky rekord i jashtëzakonshëm i zgjerimit, me ndihmën e procesit demokratik, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e botës. Por, "kriza", me të cilën po përballet BE-ja, është rezultat i suksesit historik të Unionit. Alfred Gusenbauer, ish-kancelar i Austrisë, kërkoi që BE-ja të mos konsiderohet si një etnitet gjeografik, por më parë si një projekt politik. Ajo ka dalë në sipërfaqe si një përpjekje për të shëruar plagët e Luftës së Dytë Botërore, në veçanti për të zbutur tendosjet mes Gjermanisë dhe Francës. Përpjekjet për zgjerim kishin për qëllim që të stabilizojnë demokracitë e reja, siç ishin Greqia, Spanja dhe Portugalia. Por, a do të zgjerohet Evropa deri në pafundësi? Prodi është i mendimit se shtetet anëtare të Unionit janë bërë më konservatore pas prosperimit të tyre në kuadër të komunitetit të Evropës. Si Prodi ashtu edhe Gusenbauer, e parashikojnë absorbimin e Ballkanit Perëndimor si fazë të radhës të zgjerimit për të minimizuar efektet e luftërave në ish-Jugosllavi. Kjo do të mund të hapte rrugën për pranimin e shteteve tjera të anëtarësuara, siç janë Turqia dhe Ukraina. Përderisa BE-ja ka dëshmuar një rekord të jashtëzakonshëm në fushën e zgjerimit, institucionet për integrim kanë mbetur prapa. Prodi ankohet për mungesën e politikës së përbashkët ekonomike, energjetike dhe të jashtme, politika këto të cilat BE-së do t'i mundësonin që në fushën e çështjeve globale të luante rolin e aktorit e jo të spektatorit. Ai e konsideron si domosdoshmëri unitetin më të madh të Evropës. "Bota po ndryshon. Nuk është kjo bota e njëjtë si ajo para një gjenerate. Po hyjmë në një epokë, në të cilën problemet nuk mund të zgjidhen nga një shtet", theksoi Prodi. A mund të përballet Evropa me sfidat e shekullit të 21-të me një reagim të qartë dhe koherent? . "Shtetet e ndryshme kanë perceptim të ndryshëm për atë se si duhet të duket BE-ja", tha Gusembauer. Cilat janë parakushtet e nevojshme për një BE më të fuqishme. Prodi theksoi se rregulloret për unanimitet duhet të forcohen edhe më shumë. Gusenbauer thotë:"Nga Nica deri në Lisbonë kemi shpenzuar një dekadë për të gjetur unanimitetin. Kjo krijon përshtypjen se kemi shpenzuar kohën, duke u marrë me çështje kushtetuese e jo me çështjet të cilat kanë të bëjnë me njerëzit". Ai më tutje shtoi:"Për hapin e ardhshëm të integrimeve evropiane nevojitet energji politike. Kjo energji aktualisht nuk ekziston. Ajo nuk do të vijë nga brenda, ajo mund të vijë nga jashtë".
(*) Vision.org