Nga Hajdin Islami
Prishtinë, 13 nëntor NOA - Me ftesë të kryetarit të Forumit të Krans Montanës,Jean-Paul Carteron, Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nekibe Kelmendi, e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, mori pjesë në takimin e XI-të të këtij forumi, i cili u mbajt në Paris.
Para fillimit të sesionit ministrja Kelmendi u takua me Princin e Litenshtajnit, Nikolaus con Liechtenstein ambasador në Belgjikë dhe në BE, me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi dhe me ministra dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.
Ministrja e Drejtësisë, morri pjesë në grupin e sesionit të veçantë "grupi i kufizuar", në të cilin, temë trajtimi ishte "Biznesi dhe krimet e luftës".
Pjesëmarrja në këtë diskutim e ministres Kelmendi ishte kundërpërgjigje në diskutimin e Prokurorit për krime lufte të Serbisë, Vladimir Vukcevic, i cili si panelistë, tentoi që të pranishmit t'i dezinformoj me deklarata tanimë të njohura, se Serbia ishte viktime e luftës, se ajo ka pësuar dëme të mëdha ekonomik për arsye të sanksioneve të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare ndaj saj dhe se ka shumë viktima serbe dhe jo shqiptare të cilat janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Duke e shfrytëzuar të drejtën e diskutimit, ministrja Kelmendi ju kundërpërgjigj fjalëve të pa vërteta të thëna nga prokuroi serb.
Sipas Kelmendit, Serbia nuk është vend që ka dalë nga lufta, sepse tri luftërat e zhvilluara gjatë viteve 90-ta janë zhvilluar jashtë territorit të Serbisë.
"Serbia nuk është vend që ka dalë nga lufta, sepse tri luftërat në vitet e 90-ta i ka zhvilluar jashtë territorit të saj, kështu që nuk ka pësuar dëme ekonomike. Dëmin eventual ekonomik që e ka pësuar nga sanksionet e vendosura, janë pasojë e luftërave që Serbia i ka zhvilluar në tri shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, prandaj ajo, së pari duhet t'i përmend shkaqet që kanë sjell deri të vendosja e sanksioneve, e jo të flet për pasojat nga sanksionet", tha Ministrja Kelmendi.
Sipas ministres Kelmendi në luftën e fundit në Kosovë, ekonomia kosovare është shkatërruar pothuajse tërësisht.
Sipas saj, kriminelët serbë të luftës në Kosovë, janë pasuruar duke plaçkitur pasuritë e familjeve shqiptare si gjatë depërtimit në shtete fqinjë dhe shtetet e treta, ashtu edhe pas zbrazjes së atyre shtëpive. Po ashtu ministrja Nekibe Kelmendi tha se edhe ajo vetë është viktimë e luftës, në të cilën luftë forcat speciale serbe ja kanë rrëmbyer dhe më pas ja kanë ekzekutuar bashkëshortin dhe dy djemtë.
Gjatë këtij diskutimi Ministrja Kelmendi, parashtroi disa pyetje për prokurorin serbë, por ky i fundit nuk u përgjigj fare, bënë të ditur nëpërmjet një komunikate për media Zyra për Informim pranë Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.
Hajdin ISLAMI