Vlorë, 13 nëntor, NOA - Opozita mblidhet sot në sheshin e Flamurit të Vlorës për të zhvilluar protestën e saj të radhës në rrethe mbi çështjen e transparencës së procesit të 28 qershorit.
Kjo është protesta e gjashtë që organizon Partia Socialiste pas mitingjeve të organizuara gjatë javëve të fundit në qytetet e Shkodrës, Lushnjës, Beratit, Elbasanit dhe Korçës.
Ndërkaq, bëhet me dijeni nga selia rozë për agjencinë e Lajmeve NOA se turi i opozitarëve ka caktuar ditën e martë të javës së ardhshme qytetin e Fierit për të vijuar protestat në rrethe.
Kurse data 20 nëntor është parashikuar si dita e rikthimit të opozitës në bulevardin kryesor të Tiranës për të protestuar sërish, sikundër bëri pak javë më parë, në emër të asaj që ajo e quan "transparenca e zgjedhjeve", konkretizuar me kërkesën e hapjes së kutive të 28 qershorit dhe thirrjeve për bojkot, deri në momentin që kjo do të realizohet nga mazhoranca.
n.e/NOA