English

Qeveria miratoi dhënien e bursave për nxënësit e një shkolle austriake në Shkodër

Tiranë, 13 nëntor NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sot dhënien e bursave për nxënësit e një shkolle austriake në Shkodër.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan disa vendime të Ministrisë se Arsimit, si vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e shkollës së mesme profesionale "Peter Maringer", për vitin 2009-2010, vendimin për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe tarifat e shkollimit, vendimin për hapjen e programit të studimeve të doktoraturës në Fakultetin e Ekonomisë dhe Administrimit, si dhe për miratimin e kuotës së pranimit dhe tarifës së shkollimit në këtë program studimi, etj.

Duke u ndalur në vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e shkollës së mesme profesionale "Peter Maringer", për vitin 2009-2010, kryeministri Berisha e vlerësoi këtë shkollë si një nga më të mirat në llojin e saj në përgatitjen e specialistëve të IT, si dhe kërkoi që universitetet private të inkurajohen për hapjen e degëve të IT.

""Peter Maringer" është një shkollë austriake nga më të mirat që funksionon në Shkodër. Përgatit IT dhe është një nga shkollat më të mira jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Përpjekjet tona zoti ministër duhet të jetë që në të zgjerojmë sa të jetë e mundur më shumë këtë shkollë, të hapim po te jetë e mundur dhe shkolla analoge si kjo.

Sikundër të inkurajohen universitete private për të hapur degët e IT. Ka pasur një hezitim nga autoritet qeveritare për ti licencuar ato. Është jashtëzakonisht e domosdoshme të licencojmë sa më shpejtë degë të IT në universitet private. Kam një seri kërkesash, në këtë drejtim, të cilat janë të drejta dhe të arsyeshme" tha Berisha.

Për sa i përket tarifave, kryeministri theksoi se ato do të mbeten të pandryshueshme dhe nuk do të ketë asnjë shtim.

"Tarifa për të gjithë ata që janë të varfër dhe në ndihmë ekonomike do të jetë e paguar nga shteti", u shpreh kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE