Tiranë, 13 Nëntor NOA - Shoqata e familjarëve të viktimave të Gërdecit, i ka dërguar një letër autoriteteve, si Presidentit të Republikës institucioneve të drejtësisë dhe gjykatave të të gjitha shkallëve që janë duke shqyrtuar çështje të lidhura me tragjedinë e Gërdecit, e po ashtu, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë të Drejtësisë dhe asaj të Punës e Çështjeve Sociale por edhe mediave.
Letra i referohet faktit se dje u njohën me humbjen e jetës të Kujtim Osmanit njërit prej familjarëve të viktimave të Tragjedisë së Gërdecit.
"Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre", - thuhet në letrën që u dërgua oër mediat nga Lëvizja "Majft".
Vetëvrasja e Kujtim Osmanit vlerësohet si pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë.
I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43 vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. "Askush nuk i është gjendur pranë Kujtim Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore, apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet t'ia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike", - thuhet në letër.
Përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti.
Dje, u shtua dhe viktima e 28-të, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm.
I ndjeri Osmani ditët e fundit të jetës së tij i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë.
Shoqata thotë se ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin.
I drejtohemi institucioneve të së drejtës, i drejtohemi të gjithë qytetarëve që e duan drejtësinë të na mbështesin në rrugën tonë për t'i shpëtuar humnerës drejt së cilës po na shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore.
"Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage të cilës në rast se nuk i gjenden fajtorët rrezikon të kthehet në kancer social", - vijon letra.
"Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe proçedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon", mbyllet letra e nënshkruar nga Feruzan Durdaj, përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit.
e.r/NOA