English

Vizat, Bushati: Qeveria është shkaktare e vonesës, dështoi në përmbushjen e kritereve

Tiranë, 13 nëntor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë së cilës ka përshëndetur miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.

Nga ana tjetër Bushati deklaroi se vonesa e liberalizimit të vizave për Shqipërinë erdhi pasi qeveria dështoi në përmbushjen e kritereve.

"Qëndrimi i fundit i institucioneve evropiane evidenton qartë faktin se shqiptarët për shkak të dështimeve të qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara nuk do të mund të lëvizin lirisht në hapësirën Shengen nga 19 Dhjetori i këtij viti, sikundër maqedonasit, serbët dhe malazezët.

Megjithëse jemi vendi i parë në rajon që kemi firmosur një marrëveshje ripranimi me Komunitetin Evropian në vitin 2005, kemi negociuar një nen dhe deklaratë të posaçme në MSA që në vitin 2005 për reformat që duhet të ndërmerrnim në funksion të perspektivës së liberalizimit të vizave, sot gjendemi të fundit si pasojë e dështimeve të qeverisë Berisha" tha Bushati.

"I bëjmë thirrje qeverisë Berisha që të heqë dorë nga propaganda boshe që kërkon fajtorët e dështimit në radhët e opozitës dhe të përqendrohet tek detyrat e shtëpisë" shtoi më tej Bushati.

k.k/NOA

KOMENTE