"Qytetarët duhet me votën e tyre t'i ndëshkojë ata të cilët, duke e keqpërdorur pushtetin, janë futur në korrupsion politik dhe e kanë pamundësuar zhvillimin e vërtetë të vendit; t'i ndëshkojë ata të cilët qëllimisht nuk e lejojnë veprimin e ligjit, gjyqeve e prokurorive; t'i ndëshkojë ata të cilët janë fajtorë për degradimin e përgjithshëm të jetës shoqërore në Kosovë; t'i ndëshkojë ata të cilët janë fajtorë për gjendjen pa perspektivë të qytetarit të Kosovës"
Avni Klinaku*
Të dielën më 15 nëntor 2009 në Kosovë mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal. Më 15 nëntor qytetarët e Kosovës do të ndodhen edhe para një dileme të re: të dalin apo të mos dalin në zgjedhje?
Para kësaj dileme absurde qytetarët i ka sjellë qeverisja e keqe e këtyre dhjetë vjetëve të pasluftës.
Problemet e shumta të pazgjidhura të qytetarit, si gjendja e rëndë sociale e karakterizuar me një papunësi të madhe dhe varfëri ekstreme, gjendja e rëndë ekonomike e karakterizuar me një amulli të përgjithshme, gjendja e vështirë në arsim, në shëndetësi, në kulturë e art, në ambientin që na rrethon etj., në njërën anë, dhe pasurimi i shpejtë i një grushti njerëzish të veshur me pushtet, në anën tjetër, ka ndikuar fuqishëm që qytetarët e Kosovës të zhgënjehen jo vetëm në këtë apo atë politikan, në këtë apo atë parti politike, në këtë apo atë qeveri, por qytetari është zhgënjyer nga çdokush dhe në gjithçka, dhe çka është më e keqja, qytetari i Kosovës ka filluar ta humbasë besimin në institucionet dhe në mundësinë e zgjidhjes institucionale të problemeve të tij.
Shqiptarët e Kosovës hynë në luftë me pushtuesin serb me një shpresë të madhe se jo vetëm që do ta çlirojnë vendin e tyre nga pushtuesi serb, si një e keqe e përgjithshme, por edhe me shpresën se pas luftës do të krijohen mundësitë për një jetë më të mirë, më me dinjitet dhe më njerëzore.
Më këtë shpresë ata iu qasën jetës së pasluftës dhe zgjedhjeve të para më 2000 iu përgjigjën me pjesëmarrje masive (afër 80 %). Por me kalimin e kohës dhe me grumbullimin e problemeve, qytetari, duke u zhgënjyer vazhdimisht, ka shkuar duke hequr dorë edhe nga vota e tij, pra nga pjesëmarrja në zgjedhje.
Në zgjedhjet e fundit më 2007 pjesëmarrja ishte shqetësuese: nën dyzet për qind! As në këto zgjedhje nuk pritet pjesëmarrje më e mirë. Madje pritjet janë edhe më pesimiste.
Pa dyshim se një situatë e tillë e zhgënjimit dhe e urrejtjes të shumicës së qytetarëve ndaj pushtetit është një krizë shoqërore e mbarsur me rreziqe të vlimeve e shpërthimeve sociale.
Dhe një situatë e tillë kërkon një zgjidhje, përndryshe në rrethanat aktuale gjërat mund të rrokullisen në atë drejtim kah do të kishte përfundime fatale.
Si mund të zgjidhet një situatë e tillë?
A është pjesëmarrja në zgjedhje një mjet për zgjidhjen e kësaj situate?
A e ofron bojkotimi i zgjedhjeve, zgjidhjen e kësaj situate?
Për shkak të lehtësisë në përgjigje do të filloja nga bojkotimi. Bojkotimi i zgjedhjeve në këto rrethana do të thotë sigurim i vazhdimësisë së pushtetit të korruptuar të partive që kanë qeverisur deri më tani. Është kështu sepse bojkotimi asnjëherë nuk mund të realizohet në masën njëqind për qind.
Është kështu për shkak sepse militantët e partive politike nuk do të arrish asnjëherë t'i bindësh për bojkotim. Ata përbëjnë masën prej dhjetë deri në njëzet për qind të të gjithë votuesve.
Në anën tjetër, kjo përqindje është krejt e mjaftueshme që zgjedhjet të quhen të rregullta dhe të instalohet pushteti me legjitimitet të plotë ligjor (për shkak të mungesës së ligjësimit të pragut të pjesëmarrjes në zgjedhje), edhe pse pa legjitimitetin moral. Morali e ka humbur kuptimin për pushtetarët tanë të deritanishëm.
Në këto rrethana bojkoti ka kuptim të përdoret si mjet i luftës politike vetëm kur të shtrohet një kërkesë e caktuar, konkrete dhe e realizueshme në rrugë institucionale, e jo si përpjekje për dështimin e zgjedhjeve.
Në këtë drejtim bojkoti është krejt i kotë dhe e ndihmon pushtetin ekzistues, sepse, në radhë të parë, bojkotit do të duhej t'i përgjigjeshin pikërisht njerëzit më të zhgënjyer nga pushteti dhe kështu në zgjedhje do të dilnin vetëm njerëzit e afërt të partive sunduese, një pjesë e mirë e të cilëve janë të lidhur me qindra fije korruptive interesi me partitë në pushtet.
Pra, në rrethanat në të cilat ndodhemi, atëherë kur bojkotimi i zgjedhjeve do të ishte më i suksesshmi (në masën 80-90%), pikërisht atëherë do të ishte edhe më i dëmshmi.
Të dalësh në zgjedhje dhe t'i votosh ata që e kanë fajin dhe përgjegjësinë (dhe këto janë pesë partitë parlamentare, si ato në pozitë, po ashtu edhe ato në opozitë) për situatën e tanishme është e keqja më e madhe e mundshme.
Por kjo s'ka të ngjarë! Shumica e qytetarëve me të drejtë vote nuk do të marrin pjesë as në këto zgjedhje, sepse ata akoma nuk e kanë parë një forcë politike serioze që përpiqet për zgjidhjen e problemeve të tyre jetike.
Mendoj se edhe në këtë situatë qytetari nuk duhet të heqë dorë nga e drejta e votës si mjeti i fundit dhe i vetëm institucional për t'i ndëshkuar fajtorët dhe përgjegjësit për këtë gjendje të rëndë.
Përkundrazi, qytetarët duhet me votën e tyre t'i ndëshkojë ata të cilët, duke e keqpërdorur pushtetin, janë futur në korrupsion politik dhe e kanë pamundësuar zhvillimin e vërtetë të vendit; t'i ndëshkojë ata të cilët qëllimisht nuk e lejojnë veprimin e ligjit, gjyqeve e prokurorive; t'i ndëshkojë ata të cilët janë fajtorë për degradimin e përgjithshëm të jetës shoqërore në Kosovë; t'i ndëshkojë ata të cilët janë fajtorë për gjendjen pa perspektivë të qytetarit të Kosovës.
Pra, qytetari i Kosovës duhet të dalë në zgjedhje dhe votën e tij ta përdorë si ndëshkim.
(*) Dërguar nga autori, kryetar i Lëvizjes për Bashkim