English

Zgjedhjet lokale të së dielës, policia e Kosovës: 5 mijë forca do sigurojnë procesin

Prishtinë, 13 Nëntor NOA-Policia e Kosovës deklaron se i ka të gjitha kapacitetet për të siguruar procesin zgjedhor ditën e dielë në Kosovë, ku pritet të mbahen zgjedhjet lokale.

Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim në policinë e Kosovës, major Granit Fetahu, në një intervistë për BBC-në, ka garantuar se rreth 5 mijë policë do të jenë në detyrë më 15 nëntor dhe njëkohësisht ai i ka siguruar qytetarët se vota e tyre nuk do të cënohet.

Çfarë parashikon plani operativ për siguri në ditën e zgjedhjeve?

Policia e Kosovës është plotësisht e përgatitur dhe do të jetë e angazhuar në kapacitete të plota gjatë ditës së zgjedhjeve posaçërisht, edhe pse policia është e angazhuar që nga fillimi i procesit, i kryen të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që i takojnë me legjislacionin në fuqi në bashkëpunim të plotë dhe të mirë me KQZ-në.

Në ditën e zgjedhjeve puna do të fillojë në orët e hershme të mëngjesit në mes të ditës 14 e 15 nëntor, do të jenë të kyçur mbi 15 mijë zyrtarë policorë gjatë këtij operacioni. Policia do të jetë e shpërndarë në mënyrë racionale në tërë territorin e Kosovës për të siguruar ambient të qetë për të gjithë qytetarët, për t'ju siguruar po ashtu ushtrimin e sigurt të së drejtës së tyre për të votuar.

Ditëve të fundit ka pasur shqetësime nga disa subjekte politike për bartjen e materialit sensitiv. Pse policia nuk është ngarkuar me këtë detyrë?

Policia e Kosovës është e angazhuar në bashkëpunim me KQZ-në që prej fillimit të procesit. I gjithë materiali sensitiv, përfshirë edhe fletëvotimet që prej hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, është nën përcjellje dhe nën sigurimin e policisë së Kosovës.

Është strikt që materiali sensitiv, përfshirë edhe fletëvotimet, nuk guxon të lëvizë, pa prezencën, pa sigurinë e policisë. Policia është në sigurim të fletëvotimeve dhe gjithë materialit sensitiv që prej fillimit kur ka arritur në territorin e Kosovës.

Pra ju i siguroni edhe subjektet politike, edhe votuesit se nuk ka vend për t'u shqetësuar sa i përket sigurisë së fletëvotimeve dhe votës së tyre?

Plotësisht. Sa i përket mundësisë së qarkullimit të fletëvotimeve falso, është e pamundur sepse të gjithë zyrtarët policorë e kanë informacionin, i kanë udhëzimet dhe urdhëresën që çdo material që i përngjan materialit sensitiv që haset nëpër territorin e Kosovës dhe nuk është nën përcjellje të policisë menjëherë të reagojë dhe ta arrestojë personat.

Pra, mundësia e kontrabandimit me fletëvotime është zero, për arsye se policia kufitare është e kyçur në kapacitete të plota dhe posaçërisht për këtë çështje.

A do të jetë policia në ditën e zgjedhjeve në qendra votimi?

Të gjitha depot, të gjitha qendrat e votimit, në përgjithësi kudo që do të jetë materiali sensitiv, policia e Kosovës do të jetë aty. Fuqia që do të angazhohet do të jetë varësisht prej vlerësimeve që policia bën për një lokacion të caktuar.

A do të ketë masa shtesë të sigurisë në veri të Kosovës, duke pasur parasysh edhe kundërshtimet që vijnë nga serbët e atjeshëm rreth procesit zgjedhor?

Policia e Kosovës e bën grumbullimin e informacioneve të ndryshme, vlerësimin e vazhdueshëm të situatës në tërë territorin e Kosovës dhe varësisht nga kjo edhe angazhon kapacitetet e veta.

Kjo nënkupton që edhe policët serbë do të jenë në detyrë atë ditë?

Po

Do të ketë mbështetje policia e Kosovës në ditën e zgjedhjeve edhe nga policia e EULEX-it dhe forca paqëruajtëse e NATO-s apo do të kujdeseni vetëm ju për sigurinë?

Policia e Kosovës bazuar në legjislacionin në fuqi është përgjegjësi kryesor për sigurinë gjatë procesit zgjedhor. Policia e Kosovës tani për tani, sipas vlerësimeve që kemi, nuk kemi nevojë për mbështetje nga agjencionet tjera, mirëpo policia është në bashkëpunim të vazhdueshëm me EULEX-in dhe KFOR-in.

Në rast nevoje do të kërkojmë asistencë, mirëpo për momentin policia e Kosovës zotohet se me forca të veta do ta kryejë këtë operacion të sigurisë gjatë procesit zgjedhor.

A pritet që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë, duke pasur parasysh se ditëve të fundit kemi parë dy incidente gjatë fushatës zgjedhore?

Policia e Kosovës ka qenë e përfshirë në çështjen e sigurisë gjatë tërë procesit zgjedhor, përfshirë këtu edhe fushatën zgjedhore.

Policia e vlerëson fushatën përgjithësisht të qetë. Besojmë dhe vlerësojmë se edhe dita 'Z' e ashtuquajtur nga KQZ, pra 15 nëntori do të shkojë e qetë dhe siguria do të jetë në nivel.

m.i/NOA

Â

KOMENTE