Nga Milena SelimiÂ
Tiranë, 14 nëntor, NOA - Një homazh shqiptar për mbretin e popit, Michael Jackson dhe një rekord më shumë "Guiness" për artistin Saimir Strati. Në orët e mbrëmjes të së premtes, 13 nëntor, në sheshin "Skënderbej" është organizuar matja e mozaikut nga Andrea Banfi kryegjyqtarja e rekordeve "Guiness" nga Londra dhe ceremonia e ndarjes së çmimit.
"Jam krenar që e mbajta fjalën, dhënë një vit më parë përpara jush. Ky është rekordi i parë botëror në këtë kategori"- u shpreh Saimir Strati përpara publikut që ishte prezent në fitoren e tij të katërt.
Mozaiku i ndërtuar me rreth 250 mijë penela, i ekspozuar mbi një triler, ka më shumë se një javë që qëndron në sheshin "Skënderbej".
I punuar në vetëm 28 ditë, traileri me imazhin e mbretit të popit, Michael Jackson ka nisur udhëtimin nga Vlorë ku ka qëndruar një ditë, më pas ai ka udhëtuar drejt kompleksit Apolon ku ka qëndruar për katër ditë, e më pas ai ka udhëtuar drejt qyteteve të tjera si Durrës, Gjirokastër, Berat, Korçë, Elbasan, Shkodër, Kukës, Prizren, Prishtinë dhe turneu i veprës përfundoi më 11 nëntor në Tiranë.
Penelat për të realizuar mozaikun janë siguruar nga Kina, ku mbizotëron ngjyra bardh''e zi. Mozaiku për Michael Jackson është rekordi i katërt Guiness, i fituar nga artisti Saimir Strati, pas portretit në gozhdë të Da Vinçit, kalit me kunja dhëmbësh dhe mozaikut "Mesdheu", krijuar me tapa shishesh.
I pyetur për dimensionet e mëdha, që kanë tërhequr vëmendjen e tij në dy rekordet e fundit, Strati përgjigjet se "Dimensionin nuk e kam menduar kurrë si një qëllim në vetvete, nuk më pëlqen lufta, por është pjesa kreative që të pyet a mundem ta arrij këtë dimension?".
NOA
Â
Â