Singapor, 14 nëntor, NOA - Sot në Singapor pritet që të takohen presidentët dhe kryeministrat e 21 vendeve anëtare të Forumit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit, APEC, në samitin e tyre të përvitshëm.
Në qendër të këshillimeve të forumit, në të cilin bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina e Rusia do të jetë luftimi i mëtejshëm i krizës ekonomike mbarëbotërore.
Ekspertët e vendeve të Lindjes së Largët do të diskutojnë mbi efektet konkrete të saj në ekonomitë e tyre, si edhe mundësinë e parandalimit të përkeqësimit të tyre, edhe pse nga disa raporte të fundit thuhet se kriza ekonomike duket se ka përfunduar e ndihet një rimëkëmbje e ekonomisë botërore.
Ndërkaq, ky forum ekonomik përkon në të njëjtën kohë edhe me vizitën e presidentit amerikan Barak Obama në Azi, ku po qëndron për një tur 8 ditor, në të cilin ka në plan të zhvillojë takime me autoritetet e larta të këtij rajoni, për të marrë në shqyrtim diskutimin e çështjeve ekonomike, por edhe atyre ushtarake e të stabilitetit ndërkombëtar.
n.e/NOA