Tiranë, 14 nëntor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë së cilës ka kërkuar nga prokuroria të hetojë tre ministrat, Bashën, Mediun dhe Olldasin.
"Skandalet e ndjekin pas Sali Berishën, familjen e tij dhe shërbëtorët e familjes në Qeveri, të cilët me qëllimin kriminal për të mbushur xhepat e llogaritë familjare, janë kthyer në burimin kryesor të korrupsionit elitar në vend.
Sali Berisha dhe familja e tij jo vetëm po bëjnë çmos për të vjedhur gjithçka ka mbetur në këtë vend, por njëkohësisht po bëjnë çmos për të ndaluar ndëshkimin e atyre që tashmë janë të akuzuar të publikut e të organeve të drejtësisë për korrupsion qeveritar. Këta të akuzuar janë në shtëpinë e Sali Berishës, në familjen e tij, në zyrën e tij, në qeverinë e tij. Është kjo arsyeja pse Sali Berisha është i akuzuari kryesor e njëkohësisht protektori kryesor i sekserëve korruptim të familjes së tij' tha Tahiri. Sipas tij, shembja e Tunelit të Kalimashit në rrugën e kombit e njëkohësisht korrupsionin më të madh të familjes, është skandali më i fundit që rëndon mbi këtë qeveri po aq sa rëndon edhe kosto e shtuar që duhet të paguajnë qytetarët për ndreqjen e saj, vetëm sepse Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij vendosën të abuzonin me detyrën publike për të kataloguar një tjetër inaugurim elektoral. "Fatmir Mediu hodhi në erë një qytezë të tërë duke lënë pas 26 viktima të pafajshme e miliona euro dëm, e sot krekoset si ministër megjithëse duhet të ishte përpara organeve të drejtësisë. Rruga e kombit, falë babëzisë korruptive të Sali Berishës dhe shërbëtorëve të tij në qeveri tashmë e konsideruar korrupsioni patriotik i familjes së Kryeministrit ka degraduar në korrupsion masiv, duke i vjedhur xhepave të shqiptarëve më shumë se 250 Milion euro' tha më tej Tahiri. Për deputetin socialist, Lulzim Basha duhet të ishte përpara drejtësisë për vjedhjen e miliona eurove të faktuara në investimin e kësaj rruge, ndërkohë që vazhdon të krekoset në karrigen e ministrit të brendshëm. Po kështu Sokol Olldashi, meriton të vihet përpara përgjegjësisë ligjore njëlloj si kolegu i tij. "Pas deputetëve të PS, është radha e Prokurorisë të shkojë në Tunelin e Thirrës, të mbledhë faktet, të hetojë ngjarjen e të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit kryesorë. Dosjet skandaloze të korrupsionit galopant të kësaj qeverie nuk mund të arkivohen në sirtarët e Prokurorisë. Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë të rihapë menjëherë dosjen Durrës-Kukës, të kërkojë heqjen e imunitetit e të marrë para përgjegjësisë penale shtetasin Lulzim Basha e Sokol Olldashi për korrupsionin gjoja patriotik të kësaj rruge si dhe të nisë hetimet e menjëhershme për shembjen e tunelit të Thirrës duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. I bëjmë thirrje Prokurorisë të rikërkojë menjëherë heqjen e imunitetit për shtetasin Fatmir Mediu, për tragjedinë njerëzore e materiale të Gërdecit" shtoi socialisti.
k.k/NOA