Prishtinë, 14 Nëntor NOA-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ambasadori i SHBA në Prishtinë, Christopher Dell, kanë kërkuar sot nga komisionerët e qendrës së numërimit të votave, transparencë dhe paanshmëri politike në procesin e nesërm të zgjedhjeve që do të zhvillohen në Kosovë.
Gjatë vizitës në Qendrën e Numërimit të Votave, Sejdiu e Dell theksuan se menaxhimi i mirë i procesit do të jetë test për demokracinë e vendit.
Ambasadori Dell konfirmoi mbështetjen e SHBA për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha gjithashtu se nga vizita në QNV është e dukshme se janë marrë të gjitha masat parandaluese që procesi të shkojë në mënyrë të sigurt.
"Unë besoj se asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të ketë frikë të dalë nesër të votojë, sepse votimi i tyre do të bëhet në mënyrë korrekte dhe numërimi i kësaj vote do të bëhet në mënyrë sa më të mirë.
Pasnesër bota do të shohë çka mund të bëjë Kosova për veten e vet", tha Dell.
m.i/NOA