English

Mbyllen zgjedhjet lokale në Kosovë, pritet konfirmimi i pjesëmarrjes nga KQZ

Prishtinë, 15 Nëntor NOA-Kosova ka përfunduar sot procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale.

Sipas informacioneve që japin mediat kosovare, nuk ka asnjë qendër votimi me qytetarë që presin të votojnë ndërsa për të dhënat e fundit të pjesëmarrjes në zgjedhjet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dalë me një deklaratë rreth orën 20:00.

Sipas të dhënave të KQZ, deri në orën 15:30 kanë votuar rreth 32.86 për qind e elektoratit të Kosovës.

Vlerësimet për ecurinë e procesit zgjedhor në 36 komuna të Kosovës kanë qenë në masë të madhe pozitive.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, deklaroi në mesditë se shumica absolute e vendvotimeve ishin hapur që në orën 7.

"Në disa qendra votimi, kryesisht në veri të Kosovës, kjo nuk ka qenë e mundur", tha Lushta.

Në orët e paradites votuan thuajse të gjithë liderët partiakë dhe kandidatët për poste qeverisëse në pushtetin që do të dalë nga votimet.

Në deklaratat e tyre ata bën thirrje për dalje masive të qytetarëve në votim, duke i quajtur historike edhe për arsye se janë zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mbi 1,5 milion banorë të Kosovës ishin përfshirë në listat e zgjedhësve për votimet që u mbyllën në orën 19:00, në 746 qendra votimi me 2.200 vendvotime.

Këto zgjedhje u vëzhguan nga 100 vëzhgues ndërkombëtarë dhe mbi 20 mijë vëzhgues vendorë të cilët gjatë gjithë ditës kanë qenë në terren për të parë nga afër zhvillimin e procesit zgjedhor.

Në garë për kryetarë komunash ishin 205 kandidatë, kurse për këshilltarë komunash garuan 6.582 pretendentë, nga 76 subjekte, 22 prej të cilëve janë të komunitetit serb.

m.i./NOA

Â

KOMENTE