English

Mira Meksi dhe ....dedikimi misterioz

Nga Milena Selimi

Tiranë, 15 Nëntor NOA - Ajo ka vendosur të na befasojë. Me stilin dhe natyrshmërinë e rrëfimit.

Me universin jotokësor dhe eksplorimin në zonën e përtejjetës.

Me një rrëfim në vetën e parë për një akt dashuror sublim që realizohet nëpërmjet lëvizjeve, kurtheve dhe një arsenali elementësh artistikë dhe mistike, në një dritë-hije të lojës me fatin.

Mira Meksi, prezantohet në Panairin e Librit 2009, me romanin e saj të ri "E kuqja e demave", një roman mistik dhe një kopertinë tunduese nga shtëpia botuese "IDEART". Në vetëm tri ditë të panairit faktet tregojnë se është nga librat më të shitur nga kjo shtëpi botuese.

Intrigë dhe pasion, mistere dhe mistikë, sensualitet, forcë dhe kode dashurorësh, bashkuar për jetë dhe vdekje.

Autorja na sjell një univers për t'u zbuluar, një ikonë të gjallë, me një vizualizëm ekspresionist dhe elemente surrealë, por edhe me plot dritë-hije dhe mister; Meksi vjen me këtë roman të ri pas botimit në Francë, në muajin korrik të "Porfida, Ballo në Versailles" nga shtëpia botuese Editions Baudelaire, vetëm tre vjet pas botimit të saj në gjuhën shqipe.

Rrëfen për fillesën e krijimit që mund të jetë një ëndërr, një ndjesi, një aromë a një shkrepëtimë mendimi… Si lindi romani "E kuqja e demave", sa e ndihmuan legjendat dhe e kuqja e Onufrit, kush është Antonio Manuel, si ruhen kufijtë mes jetës dhe vdekjes, për kë është dedikimi misterioz në fillim të romanit, sa magjepsëse është Dona Maria Victoria dhe si janë transformuar personazhet deri në përfundimin e romanit. Jeta dhe loja me fatin në një roman sa real, po aq edhe mistik.

Legjendat e Becquer-it, Tarazona, Katedralja me arkivat e saj qindravjeçare, ku kërkohen dokumente për Dona Maria Victoria-n, Onufri dhe bisedimi përtej kohës, Manastiri i Veruelës, aeroporti Bajaras, Toledo..më krijohet përshtypja se ke jetuar në një univers jotokësor. Cili është elementi kyç, apo fillesa e kësaj grehine letrare?

Është e vërtetë që përherë ka një fillesë në themel të ngrehinës letrare, dhe fillesa e këtij romani është shumëfaqëshe; është pikërisht universi që ju sipërpërmendët dhe që, ndonëse duket jotokësor nga perspektiva jonë, është në fakt real, por i dhënë, i transmetuar si i përjetuar nga unë në tërë gjerësinë e vet. Duke më lënë mbresë të thellë. Gjithsesi dy janë elementët zanafillorë të romanit: korrrida, ose ndeshja me dema në një Spanjë mitike dhe Ikona.

Ndërsa e para është soditje, vëzhgim, shijim, e dyta është rishtim në një botë magjepsëse që larton shpirtin.

Në ç'masë e kuqja e Onufrit, e përdorur si element kryesor nga ju në roman, mund t'i japë tipar veçantie letërsisë?

Mendoj se po në atë masë që i ka dhënë veçanti vetë artit të madh të ikonografit shqiptar më të shquar të Mesjetës, Onufrit. Romani është ndërtuar në dy linja të gjera që përfaqësojnë dy universet që përmenda, korrridat dhe Ikonën; dhe është pikërisht e kuqja, apo simbolika e saj, forca, pasioni dhe thelbësia e jetës, që i bashkon pazgjidhshëm. Që në titull është zbuluar veç nyja e parë e veshur me një simbolikë pak të ndërlikuar dhe të veçantë: e kuqja e demave, ndërkohë që ajo tjetra, e kuqja e Ikonës, e përbërë nga e njëjta lëndë e fuqishme, qëndron në hije, për t'u zbuluar mëpastaj, ngadalë dhe mistershëm, duke bartur kështu tërë forcën që e bën atë të veçantë dhe unikale në gjithësi.

Shkruan për aktin dashuror që nis me joshjen, dominimin, gllabërimin e partnerit, e pastaj për një tjetër akt dashuror sublim që realizohet nëpërmjet lëvizjeve, kurtheve dhe një arsenali elementësh artistikë dhe mistike, ankth, forcë dhe kode dashurorësh të bashkuar për jetë dhe vdekje… Përse e ndjen të domosdoshme linjën jetë-vdekje dhe dritë-hije?

"E kuqja e demave" mund të përcaktohet edhe si romani i pasionit të dashurisë, në të gjitha format që ajo shfaqet, madje edhe kur e kapërcen kufirin e jetës dhe hyn në sinoret e vdekjes, apo të përtejjetës. Madje edhe kur flitet për soditje të Ikonës, flitet për një tjetër lloj dashurie, që është ajo mistike. Dhe sigurisht, kur flitet për këtë lloj pasioni, dualizmi jetëvdekje është i pashmangshëm dhe i mirëpërcaktuar.

Sa e ndihmon rrëfimin mistikja dhe surrealizmi? Vazhdon të tërhiqesh nga elementët e një bote legjendash dhe vendesh të panjohura për lexuesin.. Kërkesë e brendshme, apo ndikim nga realizmi magjik?

Vërtet nuk di ta them se sa e ndihmojnë apo e bëjnë të vështirë rrëfimin elementët që përmendni. Pa dyshim që ky është universi im i shkrimësisë, të cilit i bindet rrëfimi. Nuk mendoj se është ndikimi i realizmit magjik që e dikton këtë mënyrë rrëfimi, të paktën jo në mënyrë të ndërgjegjshme apo të drejtpërdrejtë.

Romani nis me një ikje ‘nga sytë këmbët', një ikje për jetë a vdekje, por që përfundon me një mosikje, po aq të beftë sa ikja e fillimit. Ka patur një linjë të qartë romani që në fillim të tij, apo personazhet kanë ndërruar destinacionin gjatë zhvillimeve të tij?

E kam thënë edhe herë të tjera, asnjëherë nuk mund të përcaktoj gjithçka që në fillim të romanit. Ajo që unë di, pak a shumë, në nisje, është fillimi dhe fundi ; një lloj konfigurimi me dy ishuj nisje-mbarim, ajo që është në mes dhe që përbën lëndën e tij, nuk dihet. Lënda merr jetë dhe formë në procesin e gjatë dhe të vështirë të shkrimit. Porse ndodh edhe që fundi që ti ke parashikuar, apo që e di që në nisje, të ndryshojë sipas një ligjësie krejt të panjohur dhe që del jashtë vullnetit të autorit. Me këtë roman ka ndodhur pikërisht kjo: ikja ( e përcaktuar nga vullneti im) është kthyer në një mosikje, -- personazhet e kanë vendosur vetë fatin e tyre : unë pothuaj nuk kam ndikuar dot, vetëm u kam shkuar pas.

Gjej në roman fjali të tipit "Të mësohesh me të ligën, saqë nuk mund të bësh pa të"…ke dashur ndonjëherë ta vrasësh Dona Maria Victoria-n, apo jetës i duhet djalli brenda saj?

Nëse do t'i përgjigjesha tërësisht kësaj pyetjeje, do të zbuloja përpara lexuesit potencial, që ende nuk e ka lexuar romanin, atë pjesë të misterit që përbën edhe shijen e leximit, ose do të kompromentoja vetë strukturën labirintike të romanit. Mund të them vetëm që, pa dyshim, dona Maria Victoria është po aq e domosdoshme sa edhe vetë jeta. Po, kam dashur ta vrasë, apo më mirë, personazhja ka dashur ta vrasë për të mbrojtur dashurinë e saj, të cilën ajo ia rrezikon, por nuk ia del dot, pikërisht për arsyen që përmenda.

Manastiri i Veruelës..klasikët e ikonës, Evdokimol, Palamas, Sindel..ikona e gatuar me ngjyra, kujtesë, frymëmarrje, mister, tokë dhe kohë. A janë këto fjalët çelës të ndërtimit të romanit? Duket sikur jetohet në kohë dhe përtej kohës, në këtë jetë dhe përtej saj…si e ruan këtë kufi dhe si shkëputesh prej tij?

Janë, pa dyshim, fjalë që mbajnë shtyllat e ngrehinës së romanit. Do të doja vetëm të thosha që marrëdhënia ime me kohën në përgjithësi është sa e koklavitur dhe e vështirë, aq edhe jo e zakontë për të tjerët. Për të qenë më e qartë, asgjë nuk është e shpikur në romanin tim, lënda është marrë e tëra nga realiteti i vërtetë, i perceptueshëm nga shqisat e të gjithëve, ndonëse nuk është po ai realitet i të gjithëve, porse, ai që përftohet nëpërmjet përjetimeve të mia : shkurt, Spanja, korridat, murgjit e bardhë, vetë ikona dhe e kuqja e Onufrit, etj. janë ato që kanë dalë nga përjetimet e mia. Të njëjtën gjë mund të them edhe për dimensionet e kohës, të cilat mbijnë nga marrëdhënia ime personale me Kohën. Nuk kam kurrfarë mekanizmi për ruajtje të kufijve kohorë, apo për shkëputje prej tyre, gjithçka ndodh vetiu.

Romani sjell shenja të dukshme të së Padukshmes….tregon për dritën hyjnore dhe shpirtin e rrëfimtarit, sa ‘e rrezikshme' ka qenë për ty si shkrimtare hyrja në një botë të padukshme?

E ‘rrezikshme', aspak. E jashtëzakonshme. E vërteta është se futja e durimtë në këtë univers të mrekullueshëm me emrin Ikonë, e përcaktuar si një shkollë vështrimi, më ka marrë një kohë të gjatë dhe shumë energji. Çka më pas, si përvojë dhe dijeni, e kam ndarë bujarisht me lexuesin.

Antonio Manuel..është personazh real, apo i është dashur rrëfimit? Ndonjëherë më duket se ai nuk është tokësor, ose nuk mundet të ndikojë në fatin e tij. Përse e ke zgjidhur kështu?

Siç thashë më sipër, asgjë nuk është e shpikur krejtësisht në romanin tim. Antonio Manuel-i është real, por kujdes, nëse do të kërkonit ta identifikonit me një njeri të vetëm, s'do të mundnit dot; ai është disa njerëz dhe përvoja bashkë. E kush e ka në dorë fatin e vet, e dashur? Të gjithë, mendoj, jemi lojë e fatit, apo pjesë e një skeme a gjëje e ngjizur diku lart.

Çfarë fati ka ndjekur romani? Kur ka nisur si kohë, sa është ndërprerë, apo është rimarrë nga ty, çfarë ndryshimesh ka pësuar, etj?

Ka nisur mbi tre vjet më parë. Puna për të ka qenë shumë intensive, duke diktuar një shkrim, pothuaj, të përditshëm. Ka qenë pra një punë e pandërprerë; sigurisht i tërë procesi i shkrimësisë përmban jo vetëm shkrimin, por edhe hulumtimin, studimin, zbulimin. Dhe një punë të thellë me vetë kujtesën dhe përjetimet. Ka pësuar ndryshime të shumta në punë e sipër, pasi, siç thashë, personazhet, ngjarjet e vendosin, më së shumti, vetë fatin e tyre, dhe ka patur raste, që deri jam "përleshur" me ta që të fitonte "fati" që unë vetë u kisha përcaktuar; më kot. Fitonin ata dhe kjo përbënte ndryshimet.

Sa je prekur nga ‘ethet' posesive të Dona Marias? Sa e ke lejuar të jetë brenda teje?

Dona Maria Victoria-n e kemi të gjithë, gjykoj, brenda vetes. Kush më shumë e kush më pak. Si natyrë, nuk jam posesive, aq më pak, "fatalisht posesive" si dona në fjalë.

Në pasthënien e librit Shpëtim Doda shkruan se është e vështirë të rrëfesh në vetën e parë..ti vetë si e ke ndjerë këtë lloj çlirimi të penës në vetë të parë, me emrin e një mbretëreshe, Teuta?

Si teknikë të shkruari, rrëfimi në vetë të parë është i vështirë. Jam ndjerë absolutisht mirë me këtë lloj rrëfimi, pavarësisht vështirësisë teknike ; e para se është mënyra më e sigurtë për të qenë afër dhe përballë lexuesit, dhe e dyta, se jam vënë në rolin e një shërbestareje të devotshme ndaj lexuesit, për ta futur edhe atë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në një botë të cilën unë e kam zbuluar tashma. Jam ndjerë mirë me emrin Teuta, jo vetëm se është emri i një mbretëreshe ilire që më ka intriguar prej kohësh me jetën e saj, por edhe sepse ky emër ka një domethënie në variantin e tij në gjuhën greke : zbuluese misteresh.

A i kalon Mira kufijtë e saj artistikë me "E kuqja e demave"? Çfarë pret të të ndodhë me këtë roman?

Nuk kam të përcaktuar deri tani ndonjë kufi artistik të veprës sime, andaj nuk them dot në është kaluar apo jo.

Jam duke e shkruar veprën time letrare.

Pres që romani të lexohet, pres të vendos një lidhje të mirë me lexuesin.

Dje në disa librari të Tiranës ishin shitur dhe nuk gjendeshin kopje të romanit, i cili ka vetëm një javë që ndodhet në treg…sa e përkëdhel kjo ambicien tënde krijuese?

Shiko, çdo vepër në treg është një komunikim midis autorit dhe lexuesit. Fakti që romani po lexohet, rrëfen se po unë po komunikoj mirë me lexuesin dhe, se ky libër, ia ka dalë të jetë një formë e goditur komunikimi.

Dedikimi, Marios, natyrisht timit, më çon në pyetjen, përse vetëm tëndit?

Asesi kushtimi im nuk rrëfen që flitet vetëm për timin. Meqë emri është pa mbiemër, natyrisht timit përcakton se për cilin emër bëhet fjalë, gjithmonë në lidhje me mua. Një formë e shprehur që ruan intimitetin midis tij dhe meje.

Mendon se ky roman të ka zbutur shpirtërisht?

Ky roman është pjesë e shpirtit tim.

Sa pushim të duhet të marrësh veten nga ‘E kuqja e demave"?

Nëse e keni fjalën për kohën që do të më duhet për të nisur një tjetë roman, ju them se boshllëku që krijohet nga mbarimi i në vepre dhe nisja e një tjetre, është për mua një nga gjendjet më të vështira shpirtërore që shoqëron krijimin. Porse eksperienca më ka bërë që të gjej një "marifet" për ta mbushur këtë boshllëk, -- shkrimi i përditshëm, pra ndodhja brenda krijimit: punoj për revistën letrare që botoj Mehr Licht, dhe shkruaj esenë e përdyjavshme në gazetën Shqip, nën logon Guri Filozofal.

Intervistë për agjencinë NOA, fotot NOA&LSA

m.s/m.i/NOA

KOMENTE