Tiranë, 15 Nëntor NOA-Policia e Tiranës ka sqaruar sot se nuk është ajo fajtore në lidhje me incidentin e ndodhur pak minuta para nisjes së mitingut të sotëm të krerëve socialistë të pushtetit lokal para selisë së kryeministrisë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, ka deklaruar se ky incident ndodhi për faj të mosorganizimit të mirë nga ana e PS.
Sipas policisë, me depozitimin e kërkesës së PS për mitingun e së djelës në orën 12, nga ana e strukturave të saj janë marrë masat për zhvillimin sa më normal të protestës.
Por pak minuta para nisjes së mitingut, nga ana e organizatorëve të mitingut ka pasur ndryshim të planit për vendosjen e podiumeve të cilët kanë ndërruar drejtimin e tyre.
"Jemi te bindur se nuk është përgjegjësi e Policisë së Shtetit dhe as detyrim ligjor i saj, përcaktimi i vendit të vendosjes së podiumeve apo foltoreve në tubime apo aktivitete të forcave politike.
Po kështu mendojmë se, prezenca e policisë në tubimet e forcave politike nuk ka shqetësuar dhe as nuk do të shqetësojnë pjesëmarrësit dhe organizatorët në këto aktivitete", thuhet në deklaratën e policisë.
Sipas saj, kërkesat për ndryshimin e vendit të vendosjes së podiumit, vetëm 5 minuta para fillimit të mitingut është e qartë se nuk i shërben zhvillimit normal të tij.
m.i/NOA