Tiranë, 15 Nëntor NOA - Në emër të Partisë Socialiste, zëdhënësja e forcës më të madhe të opozitës, Armela Imeraj, shprehu sot "indinjatën e njëkohësisht keqardhjen për keqpërdorimin e Policisë së Shtetit në tubimin e bashkive dhe komunave ku qeverisin të zgjedhurit socialistë e progresistë".
Imeraj tha se prania masive policore sipas saj në shkallët e Kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për të mos lejuar vendosjen e kërkuar nga organizatorët, ishte një gabim i papranueshëm policor.
"Vendosja e tre rreshtave me policë në shkallët e kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për të mos lejuar vendosjen e kërkuar nga organizatorët duke provokuar të pranishmit, si edhe qëndrimi i uniformave në kurriz të kryebashkiakëve e kryekomunarëve opozitarë, ishin shprehje të padenja për Policinë e Shtetit, të cilat padyshim frymëzohen nga pushteti i Sali Berishës, që po humbet përditë fillin e arsyes", - deklaroi Imeraj.
e.r/NOA