English

Rritet numri i bizneseve që do të paguajnë TVSH-në

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 15 Nëntor NOA - Nga 1 janari i vitit 2010, çdo biznes i cili kryen një xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë do të klasifikohet subjekt i Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH).

Kjo do të thotë që për shumë biznese në vend do të rritet barra fiskale.

Aktualisht kufiri i cili ndan biznesin e vogël nga ai i madh është 8 milionë lekë në vit. Përfaqësues të tatimeve shprehen se, ulja e kufirit do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Drejtorja e Tatimeve Indirekte, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Enkeleida Pipa shprehet se ky ndryshim ligjore erdhi në përputhje me standardet evropiane.

Pipa, duke folur me agjencinë NOA, evidenton faktin se kjo nismë do të rrisë numrin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, por edhe te ardhurat në buxhetin e shtetit, por kjo do të ndodhë pa cënuar funksionimin e kësaj skeme.

Nga ana tjetër, ekspertët e financave mendojnë se kjo nismë do të dështojë duke vënë në pikëpyetje sipas tyre edhe sistemin fiskal.

Ish-Nëndrejtori i Tatimeve Xhavit Curri shpjegon se sot niveli i bizneseve që paguajnë TVSH-në është i ulët dhe ndryshimi i kufirit nuk po shoqërohet me rritjen e kapaciteteve të administratës tatimore.

Sipas Currit nga rreth 17 mijë biznese që janë sot të regjistruar subjekt i TVSH-së, vetëm 6 mijë prej tyre paguajnë këtë tatim, çka tregon një performancë të ulët të administratës tatimore.

Por ndryshimi i kufirit pritet ta çojë në 40 mijë numrin e biznesit të madh dhe ky fakt sipas Currit nuk mund të përballohet nga administrata.

Mbi të gjitha ky vendim vjen në kundërshtim edhe me frymën dhe politikën që ka ndjekur kjo qeveri, e cila thotë se ka ulur ndjeshëm barrën fiskale.

Gjatë këtij viti Ministria e Financave u përball me një ritëm të ulët të mbledhjes së taksave dhe tatimeve si pasojë e efekteve që dha kriza ekonomike.

Ndaj nisma e fundit ka për qëllim rritjen e të ardhurave në buxhet, por nga ana tjetër kjo ka sjellë reagimin e vendorëve, pasi shumë biznese nuk do të jenë më nën administrimin e bashkive apo komunave duke ndikuar direkt te buxhetet e tyre.

r.l/f.sh/NOA

KOMENTE