Përballjes me ekonominë e brendshme, e cila është në gjendjen më të rëndë në dekadat e fundit, Presidenti i është përgjigjur duke vendosur rekord sa i përket udhëtimeve jashtë vendit. Me turneun që filloi të enjten në Azi, Obama do të ketë vizituar 20 shtete gjatë tetë udhëtimeve të ndërmarra deri më tani brenda këtij viti
Nga Dana Milbank*
Niveli i papunësisë ngrihet në 9.4 për qind. Presidenti Obama udhëton për në Francë. Papunësia ngrihet në 9.7 për qind. Aeroplani i Obamës fluturon për në Danimarkë. Numri i njerëzve që kanë mbetur pa punë ngrihet në 10.2 për qind, Obama përgatit valixhet dhe niset për në Japoni, Singapor, Kinë dhe Kore të Jugut. Përballjes me ekonominë e brendshme, e cila është në gjendjen më të rëndë në dekadat e fundit, Presidenti i është përgjigjur duke vendosur rekord sa i përket udhëtimeve jashtë vendit. Me turneun që filloi të enjten në Azi, Obama do të ketë vizituar 20 shtete gjatë tetë udhëtimeve të ndërmarra deri më tani brenda këtij viti. Ai në këtë mënyrë me lehtësi ka thyer rekordin e paraardhësit të tij, George Bush, i cili gjatë vitit të tij të parë në funksion kishte vizituar 14 shtete. Pas kthimit të tij javën e ardhshme, Obama do ta ketë kaluar rreth 12 për qind të presidencës së tij përtej detit, ndërkohë që për këtë vit ai ka paraparë edhe një apo dy udhëtime tjera. Edhe përkundër kësaj, ky fakt deri më tani nuk është kritikuar nga opozita zakonisht tejet e zhurmshme. Një zëdhënëse e Komitetit Kombëtar të Republikanëve konfirmoi këtë javë se as ligjvënësit republikanë e as partia nuk kanë kritikuar Obamën për shkak të udhëtimeve të tij të shumta nëpër botë. Sidoqoftë, njëri nga republikanët që ka aspirata të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012, Newt Gingrich, e kritikoi Obamën këtë javë për shkak se nuk udhëtoi në Berlin për të shënuar 20 vjetorin e shembjes së murit të Berlinit. Normalisht dëshira e Obamës për të udhëtuar do të kishte qenë një dobësi, pasi që më shumë amerikanë janë të interesuar për ekonominë sesa për çështjet e jashtme. Por, rregullat normale duket se nuk vlejnë këtë vit, në pjesën më të madhe për shkak të faktit se paraardhësi i Obamës e ka dëmtuar rëndë reputacionin e SHBA-së në botë. "Përmirësimi i imazhit në botë ka një rëndësi të madhe për opinionin tonë publik. Amerikanët e konsiderojnë Obamën meritor për përmirësimin dramatik të reputacionit tonë në botë", theksoi Andrew Kohut, hulumtues i opinionit publik. Në disa aspekte, të huajt kanë qëndrime më të favorshme për Obamën sesa që kanë vetë amerikanët. Rreth 86 për qind të britanikëve, 88 për qind të kanadezëve, 91 për qind të francezëve dhe 93 për qind të gjermanëve, kanë theksuar se kanë besim në Obamën. Këtë mendim e kishin edhe 85 për qind e japonezëve, 88 për qind e nigerianëve dhe 77 për qind e indianëve. Sa i përket amerikanëve, 74 për qind prej tyre kanë theksuar se kanë besim në presidentin e tyre. Kjo ndoshta e shpjegon faktin pse Obama kalon aq shumë kohë në kontakt me mediat e huaja. Megjithatë, Obama di të jetë i kujdesshëm gjatë vizitave të tij jashtë vendit, një leksion i mësuar gjatë fushatës presidenciale, kur rivali i tij republikan e akuzoi për "elitarizëm" dhe e krahasoi me Britney Spearsin dhe Paris Hiltonin, për shkak të fjalimit që kishte mbajtur ai para turmës së madhe të njerëzve në Berlin. Në momentin kur po përgatitej të largohej nga Shtëpia e Bardhë, Obama të enjten fillimisht u ndal për t'iu adresuar gazetarëve. "Para se të nisem për në Azi, dëshiroj të bëj një deklaratë të shkurtë për ekonominë. Do të takohem me udhëheqësit e jashtëm për të diskutuar strategjinë për shtim dhe që të sigurohem se Azia dhe Paqësori do të jenë të hapur për eksportin tonë", tha Obama. Katër orë më vonë, aeroplani i Obamës po fluturonte mbi Kanada, në momentin kur Departamenti i tij i Thesarit e kumtoi deficitin e ri rekord mujor. (*) Marrë nga "Express"
(*) "The Washington Post"