Tiranë, 15 Nëntor NOA - Kryetarët e bashkive dhe komunave, që drejtohen nga Partia Socialiste, protestuan sot në mesditë para Kryeministrisë, për cenimin e autonomisë lokale nga kryeministri Sali Berisha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PS, Edi Rama, i cili e mori fjalën në fund të të gjithë homologëve të tij në
rrethe tha se qeveria po godet vazhdimisht pushtetin vendor, duke u futur në një konflikt kompetencash dhe në shkelje të hapur me Kushtetutën.
"Anulim i vendimit për biznesin e vogël dhe amendamenteve për taksat vendore, që shkelin autonominë e pushtetit lokal."
Kjo ishte kërkesa kryesore e Apelit Publik që të gjithë krerët e bashkive dhe komunave të zgjedhur nga radhët e PS-së i bën Kryeministrit Sali Berisha.
Ndërkohë, vendimi i qeverisë për të kthyer bizneset e vogla me të ardhura 5 milionë lekë në biznese të mëdha, sipas të zgjedhurve vendorë nga PS-ja, do të ishte një katastrofë për buxhetin e pushtetit lokal.
Në këtë protestë është firmosur dhe apeli publik drejtuar Berishës, në të cilin kryeministrit i është lënë si afat për të reaguar në mënyrën e duhur data 5 dhjetor 2009. e.r/NOA