English

Zgjedhjet lokale, liderët kosovarë: Ditë historike për vendin

Prishtinë, 15 Nëntor NOA-Liderët e institucioneve qendrore të Kosovës dhe partitë politike që garojnë në zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë pasi, vota e tyre do të jetë test për demokracinë e shtetit më të ri e të pavarur.

Të gjithë krerët e lartë të shtetit kosovar kanë qenë së bashku në një mendje kur kanë vlerësuar ditën e sotme si ditë historike, pasi sot janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur.

" Dëshiroj që, ashtu siç ka qenë frymë e përgjithshme gjatë fushatës elektorale e mirë, edhe kjo ditë të përmbyllet mirë.

Dua të them se ka qenë një konkurrencë e mirë e kandidatëve dhe partive politike", është shprehur presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i cili mban edhe postin e ngrirë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, vlerësoi se dita e sotme paraqet një prej datave më të rëndësishme të historisë pas pavarësisë së Kosovës. "Të gjithë kemi sakrifikuar shumë për këtë ditë.

Prandaj, është një ngjarje historike dhe unë dua të besoj fuqishëm se të gjithë do të bëhemi pjesë e kësaj historie të re, të shtet-ndërtimit, të ndërtimit të demokracisë së re, të një shoqërie moderne e demokratike dhe shumetnike", tha Thaçi Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi hodhi votën e tij në një nga qendrat e votimit në Prishtinë, tha se secila votë e qytetarëve të Kosovës e ka vlerën e vet nëpër komunat ku ata jetojnë. "Kujtoj se vota e secilit vlen dhe me këtë votë drejtohet vendi për periudhën kohore që vjen në nivelin komunal. Ftoj secilin dhe secilën që të dalin dhe të votojnë", tha Haradinaj. Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, tha se procesi i suksesshëm zgjedhor nënkupton pjekurinë e klasës politike dhe të elektoratit të Kosovës. "Sot ishte një ditë me rëndësi, dita e parë e votimeve të popullit të Kosovës së lirë dhe këto zgjedhje sigurisht që janë shumë me rëndësi, sepse kanë sjellë një freski shumë të madhe në rrafshin e lidershipit të tashëm të Kosovës.

Dhe, populli i Kosovës do të tregojë edhe një herë se është gati për rrugën drejt civilizimit të shpejtuar", tha Pacolli. Procesi i sotëm zgjedhor, sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, do të reflektohet edhe në proceset politike dhe integruese të Kosovës në strukturat evropiane. "Është një datë jo vetëm festive, por edhe shumë e rëndësishme për kredibilitetin e shtetësisë sonë.

Do t'i ftoja qytetarët të dalin në zgjedhje, se porosia më e keqe ishte edhe për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që do ta kemi në dhjetor, edhe për lëvizjen e lirë, që është shumë e nevojshme që të mos jemi më në karatin, të dalim dhe të votojmë lirshëm", tha Daci.

m.i/NOA

KOMENTE