Prokuroria heton zyrtarisht drejtuesit e DARFO për dëm ndaj shtetit 6.5 milionë euro
Elbasan, 16 Nëntor NOA - Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet për drejtuesit e kompanisë DARFO për abuzim ndaj shtetit shqiptar në vlerën 6.5 milionë euro.
Një prej të akuzuarve është biznesmen i njohur dhe një ndër emrat në piramidën
drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim (anëtar i KDK të LSI) dhe kandidat për deputet i LSI në zonën nr 86.
Aktualisht, prej pak javësh, Eduard Belegu është dhe këshilltar i ministrit të METE, Dritan Prifti.
Lajmi u dha për agjencinë NOA, nga burime zyrtare të nga Prokurorisë së Përgjithshme të cilat sqaruan se bëhet fjalë për procedimin penal nr 169 datë 16.02.2008, për veprën penale të parashtruar në nenin 135 të Kodit Penal. Veprimet hetimore janë kryer në ngarkim të Eduart Belegu, administrator, Artur Belegu, Tonin Gjonaj, drejtorë dhe Fatos Pengu të gjithë punonjës të kompanisë DARFO.
"Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë shkaktuar një dëm shtetit në shumën prej 6 milion e gjysmë euro gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në Metalurgjikun Elbasan", zyrtarizoi prokuroria.
"Sipas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Elbasan ka caktuar masën e arrestit në burg për këta shtetas", detajuan burimet nga Prokuroria e Përgjithshme.
Prokuroria nuk konfirmoi nëse janë ekzekutuar urdhër-arrestet apo ato do të ekzekutohen në orët në vazhdim.
e.r/NOA