Athinë, 16 nëntor, NOA - Duket se ka marrë fund aventura e arratisjes nga burgu grek i sigurisë së lartë Koridhalosit të Athinës, të shqiptarit Alket Rizai.
Mediat e huaja citojnë policinë greke të konfirmojë se tashmë e ka arrestuar ish-të burgosurin i cili realizoi në muajin shkurt të këtij viti një arratisje spektakolare me helikopter.
Arratisja ndodhi pasi një helikopter privat për fluturime të brendshme u ul në tarracën e burgut ku dy të dënuarit, shqiptari Rizai dhe greku Palaiokostas vuanin dënimin.
Që atëherë, Rizai ka jetuar në arrati, nën një përndjekje të vazhdueshme nga forcat e policisë, por duket se ai tashmë ka rënë pre e tyre mëngjesin e sotëm në veri të Athinës, sipas të dhënave të konfirmuara nga mediat që citojnë policinë greke. Ndërkaq, 43-vjeçari Vasilis Paliokostas, një prej kriminelëve më të njohur në Greqi me të cilin ai kreu arratisjen nga burgu, mësohet se ende nuk është arrestuar.
Ngjarja e shkurtit përbënte në fakt herën e dytë që dy të dënuarit kishin arritur të arratiseshin nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalosit, pas një akti të kryer po me sukses në vitin 2006.
Këto ngjarje janë shoqëruar me furtuna në policinë greke, të cilët mesa duket edhe tani që mund ta kenë vënë në pranga Rizain, do ta kenë shumë të vështirë t'i zënë besë shqiptarit të burgosur.
n.e/NOA