English

Korrupsion me veprat e artit, arrestohet shefi i Muzeut Etnografik Kombëtar Berat

Berat, 16 Nëntor NOA - Mënyrat e përfitimit të pandershëm të parave nuk kanë të sosur dhe "maniakët" e hajdutërisë nuk ndalen edhe në prekjen e interesave kombëtare.

Përgjegjësi i Muzeut në Berat u arrestua ditën e sotme në një operacion të koduar policor, pasi në bashkëpunim me të birin dhe një shtetas turk, janë zhytur në aferat e shitjes së paligjshme të veprave të artit.

Drejtoria Kundër Krimit të organizuar në Departamentin për Hetimin e Krimit i tha agjencisë NOA se në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Berat dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat konfirmoi se është kryer me sukses operacioni i Koduar "Onufri", për goditjen e trafikantëve të veprave të artit dhe të kulturës.

Si rezultat i këtij operacioni është bërë arrestimi në flagrancë i Sami Starova, 63 vjeç, nga Berati, me detyrë Përgjegjës i Muzeut Etnografik Kombëtar Berat, djalit të tij Mirel Sami Starova, 30 vjeç, banues në Berat dhe Bujar Dine, 41 vjeç, lindur në Fier e banues në Stamboll me shtetësi Shqiptare e Turke, i proceduar penalisht.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale monedha të ndryshme, dy statuja prodhim në qeramikë dhe gur, disa ikona dhe piktura të vjetra, që konsiderohen trashëgimi kombëtare.

Policia tha se materialet e sekuestruara do të trafikoheshin jashtë vendit dhe shtoi se po vazhdojnë hetimet për gjetjen e bashkëautorëve të mundshëm.

e.r/NOA

KOMENTE