English

Kriza globale dhe parashikimi im më i guximshëm

"Ne kemi parashikuar një rritje prej 12 për qind të të ardhurave. Unë ju them se nuk ka parashikim më të guximshëm që bëhet në një kohë krize, por të jeni të sigurt se ne parashikimin nuk e kemi bërë të udhëhequr thjesht nga dëshira jonë"

Nga Sali Berisha*

Kryeministër dhe kryetar i PD

"Dëshiroj të uroj të gjithë ata që dolën fitues në këto zgjedhje, por një gjë është e sigurt, se më i fituari në këto zgjedhje është qytetari i Kosovës, sepse vendi i tij, sistemi i tij kaloi më sukses provën e parë të madhe, atë të zgjedhjeve të mira dhe të lira.

- Unë nuk mund të lë pa përshëndetur përzemërsisht zgjedhësit shqiptarë në pesë njësitë vendore që me pjesëmarrjen e tyre i dhanë dhe një leksion, për ata që dinë të lexojnë, bojkotit dhe politikave bojkotuese. Qytetarët nuk bojkotojnë!

- Jam shumë i vendosur dhe optimist se ne do t'ia dalim që të rrisim në mënyrën më të madhe dhe progresive financimet për komunitetet lokale dhe qeveritë vendore.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot mbledhjen e përjavshme me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij drejtuar deputetëve, Kryeministri Berisha u përqendrua te buxheti, duke e cilësuar si një buxhet mjaft të guximshëm. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti gjithashtu, zgjedhjet në Kosovë, por edhe zgjedhësit që votuan në 5 komunat në Shqipëri, duke i dhënë një leksion të qartë politikave bojkotuese.

"Zotërinj deputetë,

Deri sa të votohet në Parlament, kryefjala e të gjitha takimeve tona do të jetë buxheti.

Para se të ndalem tek buxheti, në emrin tuaj, në emër të qeverisë dhe të shqiptarëve, dua të përshëndes me përzemërsinë më të madhe qytetarët e Kosovës, qeverinë, forcat politike dhe institucionet e Kosovës, për zgjedhjet vendore që u zhvilluan dje, të cilat ishin një test i madh i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time më të madhe për mënyrën e qytetëruar të zhvillimit të tyre, e bazuar kjo në raportet e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare. Dëshiroj të uroj të gjithë ata që dolën fitues në këto zgjedhje, por një gjë është e sigurt, se më i fituari në këto zgjedhje është qytetari i Kosovës, sepse vendi i tij, sistemi i tij kaloi më sukses provën e parë të madhe, atë të zgjedhjeve të mira dhe lira.

Për hir të së vërtetës, në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve ishin përqendruar mediat më të mëdha të botës, mediat e mëdha të vendit, por edhe institucione ndërkombëtare. Zhvillim pozitiv në këto zgjedhje ishte se pjesëmarrja e serbëve ishte më e lartë se në çdo proces tjetër, por edhe vetë pjesëmarrja në këtë proces zgjedhor ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet vendore në Kosovë. Natyrisht, përveç tri komunave që i mbajnë peng qarqet nacionaliste të Beogradit, komunat e tjera serbe që shtrihen nën veriun e Mitrovicës kanë marrë pjesë, duke dëshmuar vullnetin e tyre për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen në Kosovën e pavarur, aty ku kanë shtëpinë e tyre, ku kanë tokën, ku kanë jetesën e tyre dhe ndërtojnë të ardhmen.

Kështu, në këtë festë Kosova bëri investimin e parë të saj të madh në drejtim të proceseve integruese euroatlantike dhe evropiane. Kjo ishte dëshmi e një serioziteti të madh dhe përkushtimi të veçantë ndaj vlerave.

Gjithashtu, unë nuk mund të lë pa përshëndetur përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje të gjithë zgjedhësit shqiptarë në pesë njësitë vendore, komunat dhe bashkitë, në jug dhe veri të vendit për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje të pjesshme, pjesëmarrje e cila arriti pothuajse 80 për qind të pjesëmarrjes së vitit 2007. Kjo ishte një pjesëmarrje më të cilën qytetarët shqiptarë jo vetëm shprehën besimin, por i dhanë dhe një leksion, për ata që dinë të lexojnë, bojkotit dhe politikave bojkotuese. Qytetarët nuk bojkotojnë! Ky ishte mesazhi i djeshëm i zgjedhësve në mbarë komunat që u votua. Mesazhi i djeshëm i tyre ishte se mos njohja e rezultatit të votimit, kur votimet janë të ligjshme, të ndershme, transparente dhe kanë realizuar standardet kryesore të OSBE-së, nuk pranohet nga qytetarët shqiptarë. E kundërta ndodh! Nuk po marr fakte se në të gjitha këto zgjedhje, megjithëse ne kemi marrë shumë më tepër vota se kemi pasur në vitin 2007, kjo është pozitive dhe i falënderoj me mirënjohje, por vetë pjesëmarrja është zhvillimi më pozitiv në këto zgjedhje.

Të nderuar deputetë,

Sot ju keni filluar shqyrtimin e projekt buxhetit, i cili ka disa specifika, por njëra prej tyre është më kryesorja. Në këtë buxhet ne kemi ardhur tek ju me një shkurtim prej 30 për qind të shpenzimeve operative të administratës së këtij vendi. Ky është një shkurtim jashtëzakonisht i madh dhe i thellë, por, e theksoj, dhe shumë i domosdoshëm. Në ndërtimin e buxhetit dhe buxheti ndërtohet në një kohë krize, në një kohë kur kriza financiare dhe ekonomike botërore ka pasur ndikimin e vet në mbarë botën, ka pasur ndikimin e saj dhe në Shqipëri, por në strukturën dhe në parametrat e tij është buxheti i një kuraje mjaft të madhe.

Siç e dini, ne kemi parashikuar një rritje prej 12 për qind të të ardhurave. Unë ju them se nuk ka parashikim më të guximshëm që bëhet në një kohë krize, por të jeni të sigurt se ne parashikimin nuk e kemi bërë të udhëhequr thjesht nga dëshira jonë. Jo, parashikimin e kemi bërë se ne besojmë se do të shndërrojmë në realitet këtë objektiv, duke zgjeruar më tej lirinë e tregut, duke rritur më tej hapësirat e tij, duke luftuar me vendosmëri të madhe, me zero tolerancë informalitetin, korrupsionin dhe natyrisht, kjo përbën një provë të fuqishme për ne. Duhet ta them këtu, nuk ka asnjë vend të vetëm, në dijeninë time, që parashikon një rritje të tillë të të ardhurave. Nga ana tjetër, ne jemi përpjekur dhe midis qëndrimit të ecjes drejt konsolidimit të mëtejshëm makroekonomik, të ngushtimit të deficitit buxhetor dhe zvoqëlimit të borxhit publik në njërën anë, apo zgjerimit të deficitit buxhetor dhe rritjes së borxhit publik nga ana tjetër, në emër të disa interesave të caktuara, ne kemi zgjedhur të parën, ose jemi përpjekur t'i harmonizojmë ato. Ne i jemi përmbajtuir tendencës së uljes së deficitit buxhetor, i jemi përmbajtur tendencës së uljes së borxhit publik dhe rritjes së ndjeshme të investimeve.

Një moment shumë i vështirë në këtë buxhet, më i vështiri, ka qenë qëndrimi ndaj rrogave dhe pensioneve. Në mbarë Evropën, viti 2009 u karakterizua nga ulje me vendim të rrogave dhe pensioneve në shumicën dërrmuese të ish-vendeve komuniste, por edhe në vende të tjera. Edhe neve, na u këshillua muaj më parë, në fillim të vitit, që të mos parashikonim rritje rrogash dhe pensionesh në vitin 2009. Ky parashikim nuk bazohej në asnjë keqdashje, as ndaj nesh si qeveri dhe as ndaj shqiptarëve, por bazohej në parashikimet, sipas të cilave, do të ishte e pamundur të realizohej dhe e dëmshme. Dhe në fakt, duhet ta pranojmë, se ky qëndrim bazohej në parashikimet pesimiste që diktoheshin kriza, pasi ekonomitë e vendeve ish-komuniste, nga Lituania, Letonia, te Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Serbia e me radhë, që të gjitha u zhytën në minus përsa i përket rritjes ekonomike.

Dhe për realizimin e të ardhurave, ne mund të themi, mrekullisht, ia dolëm dhe këtë vit kemi të ardhura 8 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ne këtë vit kemi një rritje ekonomike, ajo që është e llogaritur deri tani, 5.3 për qind, presim të llogaritet edhe ajo gjatë tre mujorit që shkoi dhe tre mujorit që vjen.Â

Problemi i rrogave dhe pensioneve ishte akoma më madhor këtë vit, nëse duhej ne që të parashikonim rritje apo jo. Rritja që u bë në 2009, u parashikua në bazë të të dhënave të 2008-ës. Ka patur debat jo të vogël, të drejtë, legjitim edhe me partnerë dhe miq, edhe brenda nesh. Por në fund ne ramë plotësisht dakord që të ndërmarrim rritjen e rrogave dhe pensioneve, që të mos tërhiqemi prej saj, vetëm se për këtë qëllim ramë dakord të shkurtojmë 30 për qind shpenzimet e mirëmbajtjes së administratës. Shkurtim i madh, por, së pari, dua të garantoj çdo institucion të këtij vendi, çdo zyrtar, se, pavarësisht nga ky shkurtim, ai do të mund të përmbushë me dinjitet të plotë të gjitha detyrimet e tij në detyrën e përditshme dhe ato ndërkombëtare, të mbështetura nga buxheti i qeverisë. Nuk do të ketë asnjë kufizim, por do të ketë kursim, do të ketë kritere, do të ketë një qëndrim të ri ndaj parave publike. Ndihmat serioze, ose kursimet serioze, janë bërë në reformën e madhe që bëmë, shkëputjen nga nomenklatura e vjetër dhe ju keni një meritë të veçantë. Ju, që votuat këtë reformë, keni një meritë të madhe! Kursime të tjera janë nxjerrë nga të gjitha llojet e shpenzimeve, nga rishqyrtimi i disa vendimeve të vjetra, të cilat mund të ishin të përshtatshme për Shqipërinë e 15-18 viteve më parë, por jo për Shqipërinë e sotme, që kanë të bëjnë me një seri konceptesh, që, absolutisht, vetëm do të rriten. E theksoj, miqtë e mi, nuk mund të them të marrë dietë një punonjës se shkon nga Tirana në Rinas, siç është në vendim. Besoj se jeni dakord për këtë. Por do të marrë dietë mjaft më të lartë dhe do të trajtohet me dinjitet shumë më të madh, ai që, për shkak të shërbimit, do të detyrohet të flejë në Korçë, në Elbasan, në Vlorë, Gjirokastër apo Tropojë. Pra, do të ketë një përqasje të re, më dinjitoze ndaj të gjithë punonjësve dhe administratës në tërësi.

Shkurtimi prej 30 për qind i shpenzimeve për administratën, bën të mundur që ne t'u përgjigjemi këtë vit rritjes së domosdoshme së rrogave dhe pensioneve. Ne kemi ndër mend që në këtë rritje, të nderuar deputetë, të ruajmë të njëjtat ritme me vitet e kaluara. Por disa kategori, që janë më në vështirësi, do të avantazhohen pak më shumë. Në praktikën tonë të rritjes së rrogave, ne ndoqëm një praktikë të drejtë, rritëm rrogat e ulëta dhe të mesme, por nuk rritëm rrogat e larta. Kjo praktikë dëmtoi disa sektorë, të cilët me ligj, rrogën e mesme e kishin të lidhur me rrogën e lartë. Ndaj do të gjendet në të gjitha mënyrat që sistemi gjyqësor, organeve e prokurorisë, të cilat nuk kanë përfituar shkallën e rritjes së rrogave të administratës, në dialog të plotë dhe duke respektuar tërësisht frymën e ligjit, të mund t'u gjendet edhe atyre një zgjidhje, pasi ligji i tyre kalon me 3/5-at. Ministria e Financave dhe ministritë përkatëse duhet të gjejnë mënyrën që atyre t'u jepet një shpërblim mujor më i merituar dhe i zgjidhur nga rroga e gjykatësit kryesor, pasi gjykatësi kryesor ka rrogën e ministrit. Në këtë kontekst, krahas rritjes së madhe që do të kenë rrogat e vogla dhe rrogat e mesme, do të ketë një rritje të përfillshme edhe për vendet e mesme në administratë, se edhe ato, në një disbalancë që është krijuar me rritjen rrogave të arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve, kanë pësuar një lëkundje. Kështu që, në rritjen e rrogave, këto korrigjime do të bëhen dhe pastaj do të jetë një rritje e përfillshme, në përputhje me programin për pensionet dhe rrogat në vendin tonë.

Jemi përpjekur që buxheti të përfaqësojë të gjitha përparësitë. Duhet të jem i hapur me ju, mund të ketë një ulje të investimeve në shëndetësi, por ka një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për ilaçe dhe shpenzime të tjera. I kam kërkuar Ministrit të Shëndetësisë që buxhetin ta përdorë për reforma. Mund të ndërtojë pak më pak sot, por ne duhet të përpiqemi të mbulojmë sa më shumë të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe të mbështesim reformën. Nuk është pakësuar buxheti, por janë bërë disa rishpërndarje sipas përparësive, sepse buxheti është rritur ndjeshëm.

Është zhvilluar më tej përparësia e bujqësisë, ku ne, si qeveri, jemi përpjekur që të gjitha linjat që kemi shpallur, në mbështetje të fermerëve shqiptarë, të mund të ridimensionohen dhe në fakt, janë ridimensionuar.

Është rritur ndjeshëm fondi i financimit për kreditë e buta apo granti, sipas kritereve që do të jepet; është rritur ndjeshëm fondi për vaditjen; është rritur ndjeshëm fondi për ullirin. Dhe ne jemi në një proces, në të cilin do të përpiqemi që të mobilizojmë sa më shumë fonde për një përballje shumëplanëshe, në të gjithë problematikën e madhe të bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë. Natyrisht, me votën e tyre, ata shpëtuan nga "Ministria e fshatit" që më tingëllonte sikur dëgjoja "Ministria e Virtytit", nga ata që nuk merrnin gjë vesh se ç'është fshati, sepse fshati meriton një qeveri dhe me një ministri, nuk ia del dot as në rrugë.Â

Ky buxhet ka një rritje të madhe të financimeve për qeveritë vendore. Jam shumë i vendosur dhe optimist se ne do t'ia dalim që të rrisim në mënyrën më të madhe dhe progresive financimet për komunitetet lokale dhe qeveritë vendore. E kemi gjetur me 7 miliardë, kemi përfunduar me 21 miliardë, do të shkojë 30 miliardë, pas disa rishqyrtimeve tërësore. Kjo është e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit; kjo është e domosdoshme për realizimin me sukses të investimeve dhe përballjen me nevojat e qytetarëve shqiptarë, aty ku banojnë. Partneriteti me qeveritë vendore përbën një drejtim themelor të qeverisë time, që unë jam i vendosur ta vazhdoj me këmbëngulje në interesin më të mirë të çdo komuniteti dhe qytetari shqiptar, pavarësisht se ku banon.Â

Në këtë buxhet më duhet t'u informoj se një përpjekje e madhe është bërë për Shqipërinë dixhitale. Ne do ta bëjmë realitet atë. Ne nuk kemi levë më të fuqishme për të ndryshuar vendin me duart tona, sesa të vrapojmë drejt moshës dixhitale dhe natyrisht, të kompletojmë infrastrukturën fizike të vendit. Progresi është shumë i madh, por një progres shumë më i madh është i domosdoshëm. Unë kam kënaqësinë t'ju informoj se të gjitha ministrisë dhe agjencitë e kanë marrë me seriozitetin më të madh këtë dhe se vit pas viti, duke filluar nga ky vit, investimet për moshën dixhitale do të jenë investimet e para dhe kryesore të kësaj maxhorance.

(*) Fjala e mbajtur në takimin me grupin e deputetët e PD-së

KOMENTE