English

Ministrat e Jashtëm të BE pranojnë aplikimin, më 2014 Shqipëria vend anëtar

Lajmi i plotë

Bruksel 16 Nëntor NOA - Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën pasditen e sotme, shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në këtë organizatë, ndërsa jashtë mbledhjes, diplomatët evropianë janë shprehur se shohin si datë të hyrjes së Shqipërisë në BE, verën e vitit 2014.

Vendimi që pason kërkesën e qeverisë shqiptare në prill të këtij viti, u shpall zyrtarisht dhe u publikua nga selia e BE e cila lajmëron se i ka kërkuar Komisionit Evropian "të përgatisë procedurat e nevojshme për të vlerësuar stadin aktual të Shqipërisë".

Në mbledhjen e zhvilluar në Bruksel, nuk pati asnjë diskutim negativ në lidhje me këtë çështje, duke konfirmuar kështu mbështetjen e bllokut evropian për Shqipërinë.

Në konkluzionet e mbledhjes së sotme, thuhet se vlerësohen reformat e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian dhe theksohet se anëtarësimi me të drejta të plota i vendit tonë në BE, është i pashmangshëm.

Në deklaratën e BE thuhet se pas vendimit të rëndësishëm të marrë sot në Bruksel, Komisioni Evropian do t'i dërgojë menjëherë Shqipërisë pyetësorin që do të vlerësojë ecurinë e vendit dhe kapacitetet administrative të vendit duke i dhënë dritën jeshile nisjes së procesit historik për shqyrtimin e aplikimit për statusin kandidat të Tiranës. Në muajin prill të këtij viti, kryeministri Sali Berisha dorëzoi në Pragë të Çekisë, aplikimin për statusin e vendit tonë si kandidat për vend anëtar në Bashkimin Evropian.

Këto ditë, shumë media të huaja i kanë bërë jehonë deklaratës së kryeministrit grek Jorgos Papandreu për nismën që Shqipëria të futet në BE në qershor të vitit 2014 së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ende jashtë BE.

Kjo nismë e shpallur nga Papandreu, është mbështetur nga qeveria amerikane.

f.sh/NOA

KOMENTE