Flet Jonida Azizaj, autorja e librit "Si punova me tre ministra - Rrëfim i vërtetë". Pohon se nuk është gabim të dish të sillesh me një femër të bukur kurse tregon se është zhgënjyer nga një sistem shtetëror që kriter kryesor ka shitjen e personalitetit njerëzor. Dhe beson shumë se "në Shqipëri çfarë do që të bësh, në një farë mënyre do të paragjykohesh"
Nga Albert Zholi*
Një vajzë e qeshur, e bukur, fjalëpak, por e sigurt. Në bisedë më të natyrshëm dalin në pah cilësitë më të mira të një femre shqiptare. Ndoshta kur sheh në vitrinat e librarive, librin e saj, shumë edhe paragjykojnë. Një paragjykim që vjen ndoshta nga vetë titulli i librit, ku shumë pyesin njeri -tjetrin, çka dashur të thojë kjo vajzë me këtë libër? Por n.q.s do ta lexosh atë paragjykim, me vëmendje., atëherë ajo në këtë libër flet qartë dhe saktë. Ajo flet me finesë dhe me gjuhën e së vërtetës. Në këtë libër dalin në pah vështirësitë e të punuarit e qetë, në administratë duke qenë femër e bukur, apo inteligjente. Me nëntekst del qartë se në administratë shumë herë parapëlqehen, servilët, apo militantët. Dhe pse është libri i saj i parë, Jonida ka shkruar plot me figura letrare, me një stil të qartë, të kuptueshëm, pa mbingarkesa dhe me një vërtetësi fëminore. Por sipas saj, në sirtarët e shtëpisë, ajo ka me dhjetëra poezi apo skica, që kushedi se kur do ta shohin dritën e botimit. Krenare për origjinën, Vlora dhe deti i saj kaltërosh i kanë dhënë forcën, për të thënë të vërtetën në sy dhe për të kritikuar anët negative të shoqërisë maskiliste shqiptare. Ajo dhe pse e bukur, nuk e nxjerr në pah këtë dhuratë të Zotit, por me punën, idetë, kërkon të çajë në jetë vetëm me studim projekte, intuitë,. Por mbi të gjitha Jonida në këtë libër GUXON. Ajo guxon të thotë shumë të vërteta që disa femra nuk kanë guxuar t'i bëjnë publike dhe pse i kanë provuar vuajtjet apo dhimbjet e Jonidës. Me këtë guxim edhe pse mund te jetë e paragjykuar, ajo mbetet JONIDA e një të vërtete të hidhur në shoqërinë e sotme shqiptare. Ajo edhe mund të paragjykohet, por një ditë dhe do të vlerësohet...Le t'ja lëmë kohës këtë të fundit.
Pas mbarimit të Universitetit për Gjuhë -Letërsi, ju punuat në disa prej televizioneve shqiptare. Përse u larguat nga ekrani i televizionit dhe përse zgjodhët të fillonit punë në administratë?
Unë kam punuar në median televizive private gjatë viteve 2001-2004, vite ku ende nuk ishin fortësuar shumë kanalet televizive dhe ku ende kishte probleme legjislacioni për mbrojtjen e punonjësve. Pra shumë shpejt për një tekë të dikujt nga drejtuesit e gjeje veten pa përkrahje dhe pa të drejtë për të thënë zërin tënd. Përveç kësaj në median vizive përveç problemeve të zakonshme si të çdo pune tjetër, ka dhe një luftë të heshtur që bëhet për ekranin. Unë nuk kam luftuar asnjëherë për këtë. Dhe as nuk jam mbrojtur kur më kanë sulmuar. Nga përvoja e deritanishme kam kuptuar se është e kotë të luftosh me antivlerat. Është më mirë të gjesh vendin që të takon dhe ku ndihesh i plotësuar, profesionalisht, por edhe mendërisht.
Në vitin 2004, unë fillova punë në Ministrinë e Kulturës. Kjo nuk ishte as dëshirë dhe as kërkesë e imja. Por ishte një mundësi që m'u dha në një kohë të caktuar. Unë e pranova dhe fillova të punoja me shumë dëshirë dhe mendimin tepër pozitiv për administratën shtetërore.
Para disa muajsh ju nxorët në qarkullim librin "Si punova me tre ministra - Rrëfim i vërtetë. Si lindi ideja për shkrimin e një libri të tillë?
Çdo gjë që ndodh, e ka një arsye. Arsyet e shkrimit të këtij libri janë të shumta dhe komplekse. Arsyeja kryesore është zhgënjimi. Unë u zhgënjeva nga një sistem shtetëror, i cili si kriter kryesor vlerësimi ka përkatësinë politike, ka mbrojtjen nën sqetullat e biznesmenëve që paguajnë fushatat elektorale, ka servilizmin dhe më e keqja, kriter kryesor ka shitjen e personalitetit njerëzor. U zhgënjeva nga një model shoqëror dhe administrativ, i cili parimin kryesor të vlerësimit kishte: "Kush të ka sjellë në punë? Sa e rëndësishme je për drejtuesin kryesor? Asnjëherë nuk dëgjohej vlerësimi "Di apo nuk di të punojë? Gjithçka miqësore bazohej në buzëqeshje të pasinqerta, në ftesa servile për kafe, ndërsa në prapashpinë të ekzekutohej himni i sterosur i shpifjeve.
Ky është libri juaj i parë. Pse pikërisht zgjodhët këtë titull? Për arsye komerciale apo pse i përshtatet brendisë së librit?
Më kujtohen disa letërkëmbime të Heminguejit me një shkrimtar tjetër, ku diskutonin për rëndësinë e titullit të librit dhe për vështirësinë e gjetjes së një titulli. Në këtë rast ju siguroj se ky titull ka ardhur shumë thjesht, nuk kam menduar asnjëherë, "Si do t'ia vë titullin librit?". Ndoshta ky titull, ka ardhur edhe si rezultat i shprehjes tepër të përdorur në Ministrinë e Kulturës, ndërsa venin e vinin ministrat e ndryshëm. Kështu, punonjësit numëronin: Unë kam punuar me x ministra.
Por padyshim që i përshtatet brendisë së librit, porsa kohë unë përshkruaj përvojën time të punës gjatë drejtimit të tre ministrave të ndryshëm.
A nuk mendoni se ky libër ju bën paksa të paragjykuar në ambientin shqiptar?
Nëse do t'i hidhnim një sy debateve, ngjarjeve të përditshme të vendit tonë apo edhe të vendeve të tjera, duke marrë këtu që nga skandalet më të mëdha, deri tek ato më të voglat, do të shohim se ka përherë dy kahe, dy mendime të kundërta. Marrim rastin e fundit në Tiranë, përplasjen mes gazetarit Mero Baze dhe biznesmenit Rezart Taçi. Edhe për këtë ka pasur dy mendime të kundërta.
Përpara se ta botoja këtë libër, isha shumë e qartë për dy kahet e kundërta. E dija që do të kishte opinione negative dhe pozitive. Siç dhe ka pasur. Vetëm me një ndryshim të vogël. Vlerësimet pozitive më kanë ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa ato negativet vetëm në mënyrë të tërthortë. Pastaj paragjykim? Çfarë do që të bësh, në një farë mënyre do të paragjykohesh. Unë kam gjetur një strehëzë për çdo veprim timin. E rëndësishme është të jem e drejtë dhe koherente me parimet e mia.
A mendoni se botimi i këtij libri do t'ju ngushtojë hapësira në shumë drejtime për punë të lakmueshme për femrat, pasi do të mendohet se, "është femër që të hap probleme"?
Nuk e besoj këtë. Madje, mendoj se mund të ndodhë e kundërta. Vetëm këto ditë kam pasur disa oferta që realisht duken tepër premtuese, nga njerëz që e kanë lexuar librin dhe nuk janë trembur nga të vërtetat e mia.
Ju keni punuar me tre ministra. A kanë pasur dallime ministrat nga njëri-tjetri (jo në stilin e punës), por në sjelljen e tyre me femrat e bukura?
Këtë përgjigje nuk ua jap dot unë. Por ajo që mund të them është, se nuk është gabim të dish të sillesh me një femër të bukur. Bukuria femërore nuk duhet parë si problem, as si virtyt, as si mangësi zgjuarsie. Thjesht meshkujt shqiptarë duhet të mësojnë të komunikojnë edhe me femrat e sotme, që nuk janë vetëm të bukura, por kanë më shumë mundësi për t'u veshur më mirë, për t'u mbajtur më mirë dhe për t'u shfaqur më të bukura edhe në ambientin e ngurtë zyrtar. Por ky nuk duhet të shërbejë si shkak apo justifikim për t'i parë si femra të lehta, apo thjesht si bukuroshe që vijnë rrotull korridoreve.
Ju për nga stili dhe mënyra e ndërtimit të frazës, tregoni qartë se keni prirje për krijimtari artistike. Përse se keni marrë penën në dorë dhe të shkruani?
Ju faleminderit! Kam shkuar shumë herë më parë, por ende asnjë nuk ka dalë në dritë. Ndoshta nuk ishte hapur shtegu. Uroj që të kem shtysën e duhur për të përfunduar disa nga projektet që kam. Pasi të shkruash është, dëshirë, është vullnet, është pasion, por është edhe punë. Më duhet t'i koordinoj të gjitha këto.
Duke pasur parasysh librin tuaj, a mendoni se femra shqiptare ka zënë pozicionin e duhur në jetë? A kanë femrat hapësirën e duhur për të punuar me rendiment në administratën shtetërore?
Duhet të kuptojmë se Tirana nuk është Shqipëria. Ju thoni femra shqiptare. Gjatë verës kam shëtitur në ca vende, ku kam parë vajza të reja njëzet vjeçare që punojnë tokën me bel. Të punosh nuk është turp, por është prapambetje e madhe të shohësh femrat që bëjnë akoma punët e rënda.
Pastaj kemi pjesën tjetër, intelektualet. Ka femra që vërtetë kanë vlerë, por që u duhet të rrinë të fshehura në skutat e administratës shtetërore, sepse postet drejtuese janë "mollë të ndaluara" që kafshohen vetëm nga politika dhe nga gjinia mashkullore. Në librin tim unë e kam ngritur këtë çështje, duke analizuar ambientin mediatik, ku drejtuesit, analistët, kryeredaktorët janë meshkuj në pjesën më të madhe, ndërsa femrat janë rëndom thjesht folëse ose gazetare në terren.
Cilët janë mangësitë e femrës shqiptare në këtë tranzicion të tejzgjatur?
Është pyetje e madhe. Unë vetëm nuk i jap dot përgjigje. Mangësitë nisin që nga edukimi që bëjnë nënat, pastaj mësueset, pastaj televizioni, shoqëria. Ne kemi femra që në raport bisedor me meshkujt skuqen akoma sepse e shohin veten si inferiore sepse janë "femra". Ky nuk është faji i tyre. Ky është faj i gjithë shoqërisë.
Mendoj se do kërkoj kohën e vet. Mendoj se rol kryesor duhet të ketë media dhe në përgjithësi entet botuese, me veprat që sjellin në gjuhën shqipe. Ndoshta duhet të gërmojnë pak më tepër në letërsinë femërore botërore, flas për letërsinë serioze, ku përcillet mendim femëror, ku ngrihen pikëpyetje, ku jepen alternativa dhe jo librat rozë që nuk përcjellin asnjë vlerë për lexueset femra.
Ju në këtë libër tregoni sinqerisht se nuk jeni bërë "preh" e asnjë ministri për një detyrë në administratë që është e lakmueshme nga femrat dhe që mendohet se ka para dhe pushtet. Por fatkeqësisht ky fenomen ekziston në mendimet e drejtuesve. Mendimi juaj për shpëtuar nga ky llagëm?
Medalja ka dy anë. Njëri problem është mashkullor dhe këtë e prekëm pak më lart. Problemi tjetër është femëror. Duhet kuptuar se një punë në administratë nuk të sjellë para dhe pushtet. Bëhet një luftë e kotë për të zënë një vend në administratën e lartë shtetërore. Edhe nëse arrin ta fitosh me shumë ndërhyrje, më pas do të duhet të rropatesh për ta mbajtur, duke luftuar me rrymën e fortë të ndërrimit të qeverive, të ministrave, të drejtorëve, e të tjera me radhë. Mendoj se është gabim që vajza të reja, të struken nëpër cepa zyrash, duke hartuar shkresa të ngurta zyrtare, ndërsa mund të punojnë në mjaft kompani private që hapen dita- ditës. Është e gabuar të shihet administrata shtetërore si punësimi më i mirë për femrat. Me kohën ka për të ndryshuar edhe ky opinion.
Mendoni se shoqëria shqiptare është maskiliste?
Padyshim që është. Pra diferenca gjinore nis që në fëmijëri, madje, që me urimin që i bëhet çiftit të sapomartuar "të trashëgoheni, e me një djalë!". Kjo ka kuptim në kohët e shkuara, kur djemtë duheshin për të luftuar e për të mbrojtur vatanin. Por sot, nuk ka më vlerë. Por problemi vijon edhe më pas në qelizën e shoqërisë, familjen. Marrim një shembull të thjeshtë. Nënat i edukojnë fëmijët meshkuj duke ua çuar çdo gjë për përpara, që nga gota e ujit deri tek pjata e gjellës, tek këmishët hekurosura dhe tek gjithçka tjetër. Djali bëhet beu i shtëpisë. Dhe më pas ky mashkull, do të pretendojë se kushdo femër tjetër duhet të jetë "shërbëtorja" e tij. Prandaj shumë femra nuk e gjejnë veten në martesat e sotshme, sepse meshkujt kërkojnë një grua për të mbajtur shtëpinë.
Ç'mendoni për martesën dhe raportet dashurore në Shqipëri? A mendoni se ekziston dashuria e vërtetë?
Si e përmenda më sipër, shpesh një pjesë e meshkujve nuk zgjedhin një partnere për të kaluar jetën, por një grua për të bërë fëmijë dhe për të mbajtur shtëpinë dhe krevatin të ngrohtë. Përballë kësaj, është edhe medalja e kundërt. Ka nga ato femra që martohen për të bërë një fëmijë dhe për të pasur të sigurt pagesën e qerasë së shtëpisë. Të dyja këto lloj martesash janë të destinuara për të shkuar drejt divorcit. Padyshim që ka edhe martesa të bazuara mbi dashurinë. Edhe këto kanë probleme të përditshme, të panumërta, por që kalohen falë forcës së mendimit dhe të dashurisë, falë sinqeritetit dhe emancipimit të dyja palëve, si të mashkullit ashtu edhe të femrës. Ekziston dashuria e vërtetë. Po të mos e besoja këtë, nuk do të buzëqeshja më me shpirt, por vetëm me falsitet. Por gjithashtu besoj se është edhe fat, edhe besim, edhe mundësi që na jep Zoti.
Mendoni se ekziston mashkulli ideal?
Jo, nuk e besoj. Mbinjeriu i Niçes, nuk ekziston. Mendoj se kushdo duhet të kërkoj të ngjashmin e tij. Duhet të kërkojë atë shpatull, ku të mbështetet lirisht, pa frikë, pa pikëpyetje dhe pasi ta ketë gjetur atë, vetëm atëherë mund të kërkojë përmirësim, por jo vetëm të partnerit, por edhe të vetvetes. Ky është proces i vështirë, por është shumë e bukur të përmirësohesh përditë e më shumë duke ecur krah për krah me njeriun që t'i ke zgjedhur për të ndarë jetën tënde.
Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri?
Vlerat njerëzore kanë marrë tatëpjetën. Por unë ende besoj, se do të ndahet vaji nga lakrat, siç thotë që një fjalë e vjetër. Kështu krenaria, fjala, besimi, e vërteta, burrëria, besnikëria, miqësia e partneres, do të jenë vlerat që do kërkojë të ngrejë shoqëria jonë. Do ketë gjithmonë, pak gënjeshtër, hipokrizi, mashtrim, hile, servilizëm, zili, vjedhje. Por çdokush e gjen vetë rrugën e tij.
Çfarë roli luan pamja e jashtme tek një femër? Kush është më e rëndësishme, bukuria apo inteligjenca?
Pamja e jashtme është tepër e rëndësishme, për një femër merr akoma më shumë rëndësi. Por jo bukuria. Me pamje të jashtme, nënkuptoj një tërësi përbërësish, ku bën pjesë veshja e harmonizuar sipas orarit të ditës dhe sipas punës që bën kushdo dhe mbi të gjitha sipas trupit që ka. Më pas është grimi, i cili po kështu duhet të jetë i ndryshëm sipas vendit ku shkojmë dhe orareve apo stinës. Po kështu bizhutë, po kështu higjiena, po kështu këpucët me baltë, apo duart e ashpra në dimër. Një femër nuk ka nevojë të jetë e bukur, mjafton të ketë harmoni në veshje dhe në qëndrim. Mbi të gjitha një femër duhet të jetë e kujdesshme dhe e bukur në gjuhën që përdor, duke bërë që edhe meshkujt rreth saj të kujdesen për fjalorin problematik që përdorin pa u menduar.
Bukuria apo inteligjenca? Unë personalisht nuk i kam vendosur ndonjëherë në kundërshtim apo në peshore këto të dyja, sepse realisht nuk kanë pse të jenë kundërshtare. Mendoj se kush është i bukur, është një dhuratë, që nëse është e vetme pa zgjuarsinë, nga dhuratë kthehet në mallkim. Në anën tjetër nëse je i zgjuar kjo është dhuratë e çmuar, por që nëse nuk di ta përdorësh, kjo është një humbje edhe më e rëndë se e para.
Ç'mendoni për dietat dhe dobësimin e skajshëm femëror?
Dobësimi i skajshëm është i tepruar. Nuk e shoh si problem shqiptar. Madje shoh me admirim sesa shumë një pjesë e femrave shkojnë në palestër për të mbajtur trupin në formë, çka mendoj se është një kulturë jetese tepër me vlerë. Unë personalisht mundohem të ushqehem në mënyrë të rregullt, duke eliminuar ushqimin "fast -food", dhe duke u bazuar në dieta me perime, drithëra, pak mish, peshk, fruta dhe verë të kuqe.
Për ju si gazetare kush ka më shumë rëndësi libri apo gazetat?
Të dyja kanë rëndësi në llojin përkatës. Gazetat kanë shumë rëndësi sepse kryejnë jo vetëm rolin informues, por edhe edukues (disa prej tyre) dhe atë argëtues. Gazetat kanë një avantazh sepse shkojnë me lehtë tek lexuesi. Ndërsa libri është më i shtrenjtë dhe tepër i çmuar, por vlera e tij mbetet e padiskutuar dhe mendoj se kështu do të jetë përherë.
(*) Dërguar nga autori