Jeruzalem, 16 nëntor, NOA - Palestina po planifikon që t'i kërkojë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara krijimin e shtetit të saj të pavarur, edhe pa pëlqimin rreth kësaj nga ana e Izraelit.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryenegociatori palestinez Saeb Erakat, sipas të cilit do t'i kërkohet Këshillit të Sigurimit që "ta njohë shtetin e pavarur të Palestinës që shtrihet në Bregun Perëndimor dhe Gaza me kryeqytet Jerusalemin Lindor".
Por Izraeli e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike marrjen e një mase të tillë nga palestinezët.
Sipas negociatorit palestinez Erekat, bashkëkombasit e tij palestinezë e kanë humbur shpresën për procesin e paqes që kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mori postin para tetë muajsh.
Sipas tij, negociatat e paqes që filluan në vitin 1991 kanë dështuar në arritjen e objektivit të shtetit palestinez.
"Për palestinezët është shumë e qartë, se edhe tani pas 18 vjetësh, qeveria izraelite nuk është e gatshme të fillojë negociatat aty ku i kemi lënë në dhjetor 2008, por synimi i saj, strategjia e saj kryesore është ndërtimi i më shumë vendbanimeve", mësohet të jetë shprehur ai.
n.e/NOA