English

PD fiton zgjedhjet e pjesshme për krerët e 5 njësive bashkiake, KQZ: Pjesëmarrja qe 20 %

Tiranë, 16 nëntor, NOA - Partia Demokratike rezulton të jetë fituese e procesit të pjesshëm zgjedhor për pushtetin vendor, i cili konsistoi në zgjedhjen e krerëve të rinj të 5 njësive pasi paraardhësit e tyre fituan të drejtën për të qenë deputetë në procesin e 28 qershorit.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili deklaroi edhe faktin se në këto votime morën pjesë 20% e zgjedhësve, ndërkohë që të gjitha materialet janë dorëzuar pranë tij.

Në Tiranë, konkretisht për njësinë bashkiake nr. 10 fitues ka rezultuar kandidati i PD-së Blendi Fuga, pasi ka marrë 3385 vota, ndërsa 886 vota kanë shkuar për kandidatin e LSI-së Gjergji Thomai. Ndërsa në Fierzë të Bajram Currit, sipas të dhënave nga KZAZ fitues është Gjelosh Pepkolaj i PD-së me 903 vota, ndërsa Mehmet Ponari i LSI-së arriti të marrë vetëm 54 vota.

Edhe në bashkinë e Fushë-Arrëzit, rezultatet e numërimit kanë nxjerrë fitues një kandidat demokrat, Alfred Qafën me 969 vota, kundrejt kundërshtarit të tij Dedë Gjergji i LSI-së i cili mori 445 vota. Në komunën Otllak të Beratit, 2450 vota ka marrë kandidati i PD-së, Muharrem Hoxha, ndërsa kandidati i Partia e Punës së Riorganizuar, Viktor Becolli, ka marrë 329 votam, dhe Nasi Gjoka i LSI-së ka marrë 316 vota. Në fund, në bashkinë e Klosit fitues ka rezultuar të jetë kandidati i PD-së, Ramazan Mjeshtri me 2535 vota, ndërsa kandidati i LSI-së ,Xhevdet Reci ka marrë 990 vota. Ndërkaq, Partia Socialiste i bojkotoi këto zgjedhje në shenjë proteste ndaj mos transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

n.e/NOA

KOMENTE