English

Pranga katër adoleshentëve, furnizonin me hashash qendrën e Tiranës

Tiranë, 16 nëntor NOA - Antidroga e policisë së Tiranës organizoi dje një operacion të koduar "Bujtina" i cili u finalizua me arrestimin e katër adoleshentëve pasi akuzohen se shpërndanin hashash.

Fransi Jashari, 17-vjeç, Andi Kraja, 17-vjeç, Frenkli Kau, 15-vjeç dhe E. Mata, 14-vjeç u kapën dje në Bulevardin "Zogu I-rë" në Tiranë, me një sasi bime të dyshuar si bimë narkotike e llojit "Cannabis Sattiva", me peshë prej 1 kilogram e 250 gramë.

Sipas policisë sasia e drogës ishte e bashkë me ambalazh, e ndarë në 324 procione e gatshme për shitje dhe një sasi tjetër e pa ambalazhuar.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se katër adoleshentët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin drogë tek "Piaca" dhe "Parku Rinia" në Tiranë.

 Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi sasinë prej 1 kilogram e 250 gramë, me gjithë ambalazh, e dyshuar si lëndë narkotike "Cannabis Sattiva", dy telefona celularë, një motor dhe 20 ambalazhe plastike farmacie boshe.

k.k/NOA

KOMENTE