English

Rruga e kombit, Gjiknuri: PS e habitur nga heshtja e Prokurorisë

Tiranë, 16 nëntor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e ka quajtur të pajustifikueshme heshtjen e Prokurorisë përballë skandaleve me rrugën e kombit.

Në një deklaratë për shtyp dhënë ditën e sotme socialisti theksoi se "Shqiptarët po mësojnë çdo ditë e më shumë nëpërmjet dokumenteve që po bëhen publike se qeveria shqiptare me dijeni të plotë ka mashtruar opinionin publik në lidhje me afatet e përfundimit të kësaj vepre publike". "Marrja në dorëzim para kohe një vepre të pambaruar dhe në kushte teknike jo të plota, përbën një burim rreziku për publikun si dhe kosto shtesë financiare të cilat nuk gjejnë asnjë justifikim publik, duke përbërë në thelb një shpërdorim të pastër të detyrës. Për më tepër të gjithë jemi dëshmitarë të incidenteve të ndodhura edhe në pjesën e hapur të tunelit që ishte marrë në dorëzim nga qeveria shqiptare, por që asnjëherë nuk u bënë publike se cilat janë shkaqet dhe përgjegjësitë. Nga ana tjetër publikut po i fshihet edhe informacioni më i fundit për dëmet e shkaktuara nga shembja, si dhe fatin e tunelit verior i cili formalisht është nën përgjegjësinë e qeverisë sipas termave të referencës së dokumentit të publikuar" deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, Partia Socialiste nuk habitet nga mungesa e informacionit nga ana e përgjegjësve kryesorë të këtij megaskandali korruptim por nga indiferenca e Prokurorisë së shtetit e cila hesht përpara fakteve kokëforte që janë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. "Partia Socialiste i kërkon publikisht Prokurorisë të sqarojë opinionin publik se përse nuk po fillon hetimin për shkaqet e shembjes së ndodhur në tunel, vepër kjo e marrë në dorëzim pjesërisht nga qeveria shqiptare, dhe që sipas ligjit përbën një objekt të padiskutueshëm të hetimit kryesisht nga ana e organit të akuzës? Përse nuk fillojnë hetimet për mënyrën e dhënies së kontratës dhe afatet e zbatimit të saj kur përditë po mësojmë se vepra është marrë në dorëzim përpara kohe për qëllime krejt elektorale dhe se afatet janë shkelur në mënyrë të njëanshme nga autoritetet shtetërore?" përfundoi Gjiknuri.

k.k/NOA

KOMENTE