Buenos Ajres, 16 nëntor, NOA - Federata Botërore e Futbollit, FIFA, ka dënuar me pezullim të plotë nga aktivitetet sportive për një periudhë dy-mujore trajnerin e ekipit kombëtar të Argjentinës, Diego Maradona.
Plus kësaj, mësohet se FIFA i ka ngarkuar atij edhe një gjobë në vlerën e 25 mijë dollarëve. Kjo pasi ai shau dhe fyeu gazetarët në përfundim të ndeshjes me Uruguajn.
Ndërkaq, gjatë gjykimit të çështjes, mësohet se Maradona ka kërkuar falje për sjelljen e tij, e ka qenë kjo gjë që i ka mundësuar atij një gjykim të lehtësuar.
Gjithsesi, pavarësisht se mund të duket i rëndë, ky pezullim nuk i heq atij mundësinë që të drejtojë skuadrën në Botëror.
E vetmja ndeshje që ai do të humbasë është një miqësore me skuadrën e Katalonjës, të drejtuar nga Johan Krujf, në muajin dhjetor.
n.e/NOA